Futbollisti i Hajdukut të Splitit, Emir Sahiti ka vendosur që t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës.
Ai e ka nënshkruar shkresën nëpërmjet të cilës do t’i kompletohet dokumentacioni i nevojshëm për t’u paraqitur në fanellën e Dardanëve, njofton FFK, përcjell GazetaBlic Sport.
Sahiti është sulmues anësor dhe aktualisht është duke kaluar formë shumë të mirë në kampionatin kroat.
Në këtë edicion ai ka luajtur në 18 ndeshje me Hajdukun, duke qenë ndër lojtarët më të mirë të skuadrës, teksa ka kontribuuar me 2 gola dhe 2 asistime.
Emir Sahiti në të kaluarën ka luajtur për ekipin Kombëtar të Shpresave të Shqipërisë, kurse tani dëshira e tij është që ta përfaqësojë Kosovën.


