Hekuran Murati i Vetëvendosjes ka dalë me reagim pas nisjes së hetimeve dhe shqyrtimeve të fletvotimeve me numër të parputhshëm serik në disa klasa dhe shkolla në Mitrovicë, për çka është aktivizuar edhe prokuroria.
Murati mohoi të ketë dorë Vetëvendosja në këto veprimtari, ndërsa sulmoi PDK-në për vjedhje votash në të kaluarën/.
“Kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë”, shkroi Murati.
Postimi i tij i plotë:
Tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë merr edhe lëvdata nga ndërkombëtarët.
Një meritë e madhe për këtë i shkon pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje! me komisionerët dhe vëzhguesit e saj, të cilët ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve qoftë edhe me trupat e tyre.
Këtë meritë tashmë na e kanë pranuar publikisht edhe kundërshtarët tanë politikë.
Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së.
Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë.
Partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin.


