Lajme

Dy zyrtarë rusë shpallen persona “non grata” në Kosovë

10/22/2021 15:57
nga:M K

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës ruse në Kosovë janë shpallur persona non grata.

Osmani ka theksuar në Facebook se kjo është bërë për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, “i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës”.

“Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së.

Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, thuhet në statusin e saj.

Osmani theksoi se i ka bërë paraprakisht kërkesë zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve të padëshirueshëm në Kosovë.

“I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend.”