Sporti

Dy “yjet” e Milani kërkojnë rritje page, Bayerni monitoron

04/20/2024 11:34
nga:Sh R

Milani po përgatitet për derbin e së hënës ndaj Interit, duel ku misioni kryesor është shtyrja e shpalljes kampion të skuadrës së Simone Inzaghit.

Eliminimi nga Europa League ka tërbuar tifozët kuqezi, të cilët presin kthesën në derbin e qytetit. Dhe kërkojnë me ngulm shkarkimin e Stefano Piolit.

Drejtuesit po studiojnë alternativa të ndryshme për pasuesin e Piolit. Ndërkohë që pezull kanë mbetur bisedimet e rinovimeve me Theo Hernandez dhe Mike Maignan.

Situata nuk është shumë shqetësuese, dy ndër “yjet” e kuqezinjve kanë kontrata deri në 2026, por pas tyre qëndron Bayern Munich.

Portieri dhe anësori i majtë duan të qëndrojnë në Milanello, por kërkojnë rritje të pagës sezonale, diçka që drejtuesit e “Djallit” duhet ta bëjnë shpejt.

Nga ana tjetër, Bayerni, që pritet të humbë shërbimet e Manuel Neuer dhe Alphonos Davies, ka zgjedhur t’i mbulojë “gropat” me dy francezët e Milanit.

Dhe së shpejti mund të vijë një ofertë e majme për të transferuar Maignan dhe Theon në Bavari.