Dy vjet më parë kryeministri Albin Kurti i ka dorëzuar Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian aplikimin e Kosovës për aderim në familjen e madhe evropiane.
Kurti më 15 dhjetor 2022 në Pragë zhvilloi takime të ndara me ministrin e Punëve të Jashtme Jan Lipavsky dhe ministrin për Çështje Evropiane, Mikulas Bek.
Ceremonia e dorëzimit të aplikimit u shoqërua me një konferencë të përbashkët të kryeministrit Kurti dhe ministrit Bek.
Krerët e shtetit të Kosovës e kanë konsideruar këtë si moment historik që i hap rrugë fillimit të procesit të anëtarësimit dhe integrimit të vendit në BE.
Pas aplikimit Kosova duhet të kalojë në tri faza kryesore – marrjen e statusit kandidat, negociatat e anëtarësimit dhe ratifikimi i traktatit.
Statusi i kandidatit jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian. Këshilli dhe vendi kandidat duhet të dakordohen për kornizën mbi negociatat e anëtarësimit.
Negociatat e anëtarësimit fillojnë pasi vendi kandidat përshtat ligjet e tij me rregullat e BE – acquis. Negociatat përfundojnë zyrtarisht pasi secili nga 35 kapitujt e acquis të mbyllen unanimisht.
Një traktat aderimi nënshkruhet nga vendi kandidat dhe BE-ja, me pëlqimin e Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, dhe më vonë ratifikohet nga vendi kandidat dhe 27 vendet anëtare të BE-së veç e veç, kur ai bëhet i detyrueshëm./KP