Dy qytetarë kanë humbur jetën dhe 535 të tjerë janë konfirmuar të prekur me COVID-19 në 24 orët e fundit në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se rastet e reja janë konfirmuar pas kryerjes së 6,173 testeve të dyshuara.
Me kalimin e ditëve janë shtuar rastet e qytetarëve, të cilët kërkojnë ndihmë shëndetësore për shkak të simptomave.
Aktualisht në Spitalin Infektiv në QSUT po trajtohen 60 pacientë, ndërsa rastet aktive kanë shënuar rritje e të shpejtë, sidomos në dy javëshin e parë të gushtit.
Rastet e të shëruarve në Shqipëri vijojnë të jenë të ulëta, nëse e krahasojmë me rastet pozitive ditore.
Sipas MSH-së, 122 qytetarë janë shëruar në orët e fundit, kurse totali i tyre ka shkuar në 131,042.
Në total, nga fillimi i pandemisë 2,475 qytetarë kanë humbur jetën nga COVID-19, ku pjesa më e madhe e tyre kanë qenë me sëmundje shoqëruese.
Për shkak të sasisë së furnizimit, kushteve specifike të ruajtjes dhe afati i shkurtër i skadencës mendohet se ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të marrë vendim për të zgjeruar vaksinimin me “Pfizer”.
Ky lloj vaksine, përdorimi i të cilës fillimisht u kufizua vetëm për personat me probleme kronike në shëndet, po aplikohet më gjerësisht.