Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, i kërkoi ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që të përmbahen nga “çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionin”.
Kjo u bë e ditur në njoftimin e kësaj ambasade, për takimin që De Riu e pati sot gjatë ditës me Sveçlën.
“Ambasadori De Riu takoi sot ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në takim diskutuan për situatën e sigurisë në #Kosovë, programet dypalëshe dhe masat e marra për të shmangur incidentet para zgjedhjeve në #Serbi. Ai përsëriti thirrjen për t’u përmbajtur nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Italiane në Kosovë.
Por, kjo porosi që iu dha Sveçlës nga ambasadori i këtij vendi mik të Kosovës nuk u tregua në njoftimin që ai bëri për të njëjtin takim në Facebook.
“Kisha kënaqësinë që sot të pres në zyrën time ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Antonello De Riu, zëvendësshefin e Misionit, z. Ugo Ferrero, dhe atasheun policor, Enrico Gurnari. Bashkëbiseduam për tema të ndryshme por në fokus thellimin e bashkëpunimit në fusha të caktuara të sigurisë.
Të gjitha institucionet vartëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në historikun e zhvillimit të tyre kanë ndihma nga më të ndryshmet nga Italia. Gjej rastin t’i falënderoj prapë për takimin e frytshëm dhe vullnetin e madh për të na ndihmuar në avancimin e politikave të sigurisë”, ka shkruar Sveçla, raporton klani.
I njëjti rast ka ndodhur edhe me deklaratat që kryeministri i Norvegjisë dhe ai i Kosovës bënë pas një takimi që e patën në Oslo, para dy ditësh.
Kumtesa e zyrës së Jonas Gahr Store pati fjali goxha të ashpra, porosi të rrepta dhe shprehje dëshpërimi për diçka që nuk bëri qeveria e Albin Kurtit.
Ndërsa kumtesa e kabinetit të Albin Kurtit nuk përmendi kurrgjë nga ato që i tha norvegjezi.


