Lajme

Dy vëllezër dënohen me mbi 15 vjet burgim për vrasje në tentativë dhe vepra të tjera penale

06/02/2021 16:12
nga:M K

Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të mërkurën i ka shpallur fajtorë për vrasje në tentativë dhe vepra tjera penale, vëllezërit Gent Krasniqi dhe Glauk Krasniqi.Të akuzuarin Gent Krasniqi, gjykata e ka dënuar me shtatë vjet e tre muaj burgim, kurse të akuzuarin Glauk Krasniqi, gjykata e ka dënuar me tetë vjet e shtatë muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të dy të akuzuarit ngarkoheshin me veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, por kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj-Hyseni njoftoi se trupi gjykues e ka ricilësuar veprën penale nga vrasje e rëndë në tentativë në vrasje në tentativë.Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Hasaj-Hyseni, i akuzuari Gent Krasniqi u dënua me tri vjet burgim për vrasje në tentativë, gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje, dy vjet burgim për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe dy vjet burgim e 500 euro gjobë për narkotikë.

Ndaj të njëjtit u shqiptua pastaj dënimi unik në kohëzgjatje prej shtatë vjet e tre muaj burgim dhe 500 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sipas aktgjykimit, i akuzuari Glauk Krasniqi u dënua me katër vjet burgim për vrasje në tentativë, 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje, dy vjet burgim për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe dy vjet burgim e 500 euro gjobë për narkotikë.Ndaj të njëjtit u shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej tetë vjet e shtatë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.Po ashtu, secili veç e veç është obliguar edhe me pagesën e 200 eurove në emër të paushallit gjyqësor si dhe nga 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

Kurse i akuzuari Gent Krasniqi u obligua edhe me shpenzimet për dy analiza të bëra në psikiatrinë forenzike. Të akuzuarve iu konfiskuan armët e sekuestruara dhe droga e precizuar si në dispozitiv të aktakuzës. Palët e dëmtuara u udhëzuan në kontest të rregullt civil për realizimin e kërkesës pasuroro-juridike.Gjykatësja Hasaj-Hyseni bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 4 prill 2019, Gent Krasniqi dhe Glauk Krasniqi akuzoheshin se më 14 maj 2018, rreth orës 09:35 në parkingun e ndërmarrjes “Titan Beton”, në lagjen Arbëria në Prishtinë, saktësisht në Magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, për shkak të një mosmarrëveshjeje të çastit që kanë pasur me të dëmtuarit Avni Bytyqi dhe vëllain e tij Shpejtim Bytyqi, i kanë sulmuar të njëjtit me grushta dhe pastaj edhe kanë shtënë në drejtim të tyre.Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, e kanë bërë me qëllim që t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit.Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi i dëmtuari Avni ka filluar të ikë, të njëjtin e kanë goditur në kofshën e këmbës së djathtë, dhe ai është rrëzuar prapa veturës së të dëmtuarit Shpejtim, kurse i akuzuari Glauk në prezencë të policisë e ka goditur të dëmtuarin Avni në kofshën e këmbës së majtë dhe ia ka mbështetur revolen në kokë.Por, vazhdon aktakuza, meqenëse nuk i ka ndezur fisheku të akuzuarit, atëherë të dëmtuarin ka goditur me kontaktin e revoles në kokë, në pjesën mbi veshin e majtë, dhe atëherë ka ndërhyrë policia e cila i ka hedhur sprej.

Me këtë, të dëmtuarit Avni i janë shkaktuar dëmtime të rënda trupore me pasoja të përkohshme në shëndet.Për këto veperime, dy të akuzuarit akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 179, paragrafi 1 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit Gent dhe Glauk Krasniqi në kohën, datën dhe vendin e njëjtë, në kundërshtim me ligjin për armët, kanë mbajtur në pronësi dy armë të tipit “Zoraki”.

Me këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.

Në aktin akuzues thuhet edhe se të akuzuarit Gent dhe Glauk Krasniqi i kanë sulmuar seriozisht policët Xhavit Sinani, Ferat Haxhaj dhe Latif Softolli, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare të ruajtjes së rendit publik, ashtu që derisa të dëmtuarit Sinani, Haxhaj dhe Softolli kanë qenë duke e siguruar vendin e ngjarjes dhe të dëshmive në vendin e ngjarjes, të akuzuarit kanë dal nga vetura e policisë dhe me shqelma i kanë goditur të dëmtuarit e lartcekur, të cilëve iu kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme në shëndet.

Me këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 410, paragrafi 1 i KPRK-së.Po ashtu, sipas aktakuzës, më 14 maj 2018, rreth orës 09:50, të akuzuarit Gent dhe Glauk Krasniqi kanë poseduar me qëllim shitjeje substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 296 gram, që është gjetur në një dhomë prapa objektit që ishte pronë e tyre, kurse pas kontrollimit të shtëpisë së tyre janë gjetur edhe 12 gram, kështu me peshë të përgjithshme prej 308 gram.Me këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

LEXO EDHE:

Paralajmërimi i Vuçiqit: Në Bruksel mund të diskutohet për Asociacionin