Lajme

Dy të vrarë, dhjetëra të lënduar nga shembja e urës në Peru

02/14/2025 22:50
nga:Sh R

Një urë në veri të Perusë është shembur duke lënë të vdekur dy persona dhe 41 të plagosur.

“Autobusi po transportonte më shumë se 50 pasagjerë kur ura 60 metra e gjatë që po kalonte pranë Chancay u shemb “për shkak të një dështimi strukturor”, sipas zyrtarit të menaxhimit të fatkeqësive, Cecilia Martino.

Në momentin e shembjes, në urë ndodheshin një autobus dhe një mjet tjetër. Autobusi, me të paktën 50 pasagjerë, po udhëtonte drejt qytetit bregdetar të Chibotes.

Shoferi dhe një pasagjer u nxorën të vdekur nga rrënojat e autobusit, ndërsa të plagosurit janë dërguar në spital për trajtim.

Në operacionet e shpëtimit u përfshinë 50 oficerë policie dhe 100 zjarrfikës.

Sipas Ministrisë së Transportit, vendi i Andeve ka një shkallë të lartë të aksidenteve me autobus, me 3,138 vdekje të regjistruara në aksidente transporti në vitin 2023.