Lajme

Dy të lënduar në Mitrovicë, flasin nga Prokuroria: Personi i paidentifikuar hodhi mjetin shpërthyes në drejtim të dy viktimave

01/16/2024 14:16
nga:G C

Dy persona janë lënduar si pasojë e një shpërthimi të një granate dore në Mitrovicë të Veriut.

Njëri nga të plagosurit ndonëse ka marrë lëndime trupore është jashtë rrezikut për jetë.

Në lidhje me ngjarjen, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë në tentativë“,

“Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm“ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Me datë 15 janar 2024 rreth orës 23:52, rrugën Knjaz Millosh në Mitrovicë të Veriut, një person deri tash i paidentifikuar ka hedhur një mjet shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore, në drejtim të dy viktimave të cilët kanë pësuar plagë trupor”, ka deklaruar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni.

Ai ka shtuar se Prokurori kujdestar i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me policinë rasti është duke u hetuar për veprat penale të lartpërmendura.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin në veri, Veton Elshani ka thënë se ende nuk ka të arrestuar për rastin dhe se nuk beson të ketë ndodhur për çështje etnike.

“Ende nuk ka të arrestuar, derisa nuk kemi arsye të besojmë që ky rast ka lidhje me çështje etnike”, tha Elshani.

Veton Elshani ndër të tjera ka treguar se granata ka shpërthyer jashtë hotelit “Bisevac”.

“Granata ka shpërthyer jashtë hotelit Bisevac, derisa tre persona kanë qenë duke hyrë në veturë”, u shpreh Elshani.