Lajme

Dy qytetarë shkaktuan panik në Ferizaj duke thënë se është helmuar ujësjellësi, arrestohen më pas

07/16/2021 18:33
nga:M K

Dy qytetarë ferizajas janë arrestuar nga Policia e Kosovës me dyshimet se kanë shkaktuar panik tek qytetarët tjerë duke shpërndarë lajme të rreme, kinse ujësjellësi në Ferizaj është helmuar.

Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë duke i arrestuar personat në fjalë, përcjell GazetaBlic.

Këtë e konfirmoi edhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, e cila gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e keqinformimeve të paidentifikuara.

Më poshtë edhe komunikata e plotë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, këtë pasdite ka pranuar informacione se dy qytetarë, pa pasur asnjë argument kanë shkaktuar panik tek qytetarët në rrjetet sociale, se është helmuar ujësjellësi në Ferizaj.

Policia, menjëherë ka nisur hetimet dhe shumë shpejtë i ka identifikuar, të dy këta persona dhe vendodhjen e tyre dhe të njëjtit i ka shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj .

Personi me inicialet L.J ( M/K) 30 vjeçar në rrjetet sociale me video incizim, ka bërë thirrje publike /panik: ’’ Përshëndetje krejtve, desha me ju informu që bëni kujdes , mos të pini ujë të qeshmës , sepse kanë ardh lajme se edhe në Ferizaj që ka njerëz të helmuar , kështu që kujdesuni për veten , respekt L.J’’’.

Personi tjetër , me inicialet A.T ( M/K) i moshës 28 vjeçar , ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook, thirrje ‘’ Kujdesni shuuuuum t’madh kur pini Ujësjellës se veç sa kanë fillu mu helmu edhe n’Ferizaj!!

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj , me këtë rast fton qytetarët, që mos të bien pre e keqinformimeve të paidentifikuara , por të bazohen vetëm në informatat të cilat kanë ardhur nga organet kompetente , në këtë rast, nga ‘’KRU Bifurkacioni ShA’’ Ferizaj .

Ky rast, në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore të Ferizajt , mbetet për procedurë të mëtejmë hetimore.

Me respekt

/GazetaBlic/