Sporti

Dy ndeshjet e djeshme që dyshohen për ‘manipulim’ janë proceduar për hetime në prokurori

05/29/2023 11:46
nga:E K

Ndeshjet përmbyllëse të Superligës së Kosovës ngjallën reagime të shumta pas dyshimeve për trukim në ndeshjet vendimtare për skuadrën që kalon në barazh.

Në të dy ndeshjet u vu në pyetje rregullësia e takimeve, shkruan GazetaBlic Sport.

Episodi që mori më së shumti vëmendje ishte goli i Ferizajt që u shënua në fund të takimit e që portieri kundërshtar bëri një intervenim ‘amator’.

Për këtë çështje ka reaguar zv.ministrja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ku ka lajmëruar përmes Facebook-ut që ndeshjet do t’i nënshtrohen procesit të hetimit.

Ky është postimi i saj:

Ndeshjet e futbollit që u zhvilluan dje në kuadër të Superligës së Kosovës, Prishtina me Trepçën 89 dhe Ferizaji me Dukagjinin, që të dyja, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport.

Nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve. Andaj, kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes, dhe me kohë.

Është e dhimbshme kur imazhi i sportit në vend njolloset me shenja që shkaktojnë dëme të thella dhe vështirë të riparueshme në komunitet.

Sporti është i sportistëve dhe atyre që punojnë për rezultate. Kalkulimet dhe llogaritë e përfitimeve mbi djersën dhe mundin e tyre, nuk duhet të kenë vend në sportin vendor në asnjë formë dhe asnjë moment.