Lajme

Dy kosovarë lëndohen në aksidentin ku u përfshi eskorta e Sali Berishës

11/27/2021 08:46
nga:M K

Dy kosovarë kanë marrë lëndime, njëri më të rënda, në aksidentin në të cilin u përfshi eskorta e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Një aksident masiv ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin Milot-Mamurras ku u përfshinë 3 automjete, një prej të cilave pjesë e eskortës së ish-kryeministrit Sali Berisha, që po ktheheshin nga foltorja që kishin zhvilluar në Kurbin.

Raportohet se një Benz 190 është futur në krah të kundërt duke shkaktuar aksidentin zinxhir, shoferi i të cilit ishte nën efektin e alkoolit.

Në këtë moment një nga makinat e eskortës së ish-kryeministrit Sali Berisha për ta shmangur, tentojnë të kthehen duke përplasur një tjetër automjet që kishin para.

Raportohet se një nga makinat e eskortës ka marrë dëmtime të konsiderueshme, por asnjë nga stafi dhe as Berisha nuk kanë pësuar lëndime.

Mësohet se i vetmi i lënduar rëndë, me dëmtime në fytyrë është një i ri nga Kosova, i gjendur në një nga automjetet e përfshira në aksident. Po ashtu të lënduar janë edhe dy të tjerë.

Të lënduarit janë: Një 15 vjeçar nga Prishtina dhe A. M 27 vjeç Prishtinë si dhe S.L, 28 vjeç Tirane./TCH