Lajme

“Dy kërkesat që duhet t’i ketë Kurti në takimin me Vuçiq – Serbia të dënohet për kidnapimin e policëve kosovarë”

06/20/2023 19:49
nga:G B

I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Serbia duhet t’i lirojë policët që janë rrëmbyer apo kanë hyrë gabimisht në territorin serb, duhet të lirohen menjëherë.

“Ne dëshirojmë që të shohim lirimin e menjëhershëm të tyre. Pozicioni ynë është, qoftë nëse janë rrëmbyer apo nëse janë gjetur gabimisht në territorin serb, ata nuk kishin qëllime të ishin atje, prandaj ata duhet t’u kthehen familjeve të tyre”, ka thënë Escobar.

E, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të shkojë në takimin e thirrur nga Bashkimi Evropian në Bruksel, që të tregojë se lirimi i tre policëve kosovarë të kidnapuar është hapi i parë për deeskalim të situatës.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do të takohet me Kurtin, derisa të lirohen të gjithë serbët e arrestuar.

Lidhur me takimin Kurti-Vuçiq dhe kërkesat për lirimin e tre policëve, Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, thotë për Gazeta Blic se lirimi i tyre do të bëhet pa asnjë kusht, por që nuk mjafton, pasi Serbia duhet të dënohet nga bashkësia ndërkombëtarët për agresionin ndaj Kosovës.

“Natyrisht që lirimi i policëve të rrëmbyer nga Serbia duhet të bëhet pa asnjë kusht. Por kjo nuk mjafton, Serbia duhet të dënohet nga Bashkësia Ndërkombëtare për agresion që ka kryer ndaj Kosovës”, thotë ai.

Sherifi vlerëson se Kurti duhet të kërkojë përpos lirimit, edhe ndëshkimin e Serbisë dhe se këto dy kërkesa duhet të jenë të pandashme.

“Prandaj, kryeministri duhet të kërkojë jo vetëm lirimin e tyre, por edhe ndëshkimin e Serbisë nga Bashkësia Ndërkombëtare. Këto dy kërkesa duhet të jenë të pandashme”, potencon ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, gjasat janë që Serbia të përfitojë nga lirimi i policëve dhe jo të ndëshkohet për rrëmbimin e tyre.

“Ndërsa, sa i përket asaj nëse Serbia do t’i lirojë apo jo, rreth kësaj nuk kam asnjë dilemë, patjetër që do t’i lirojë. Mirëpo, problemi qëndron në atë që, gjasat më të mëdha janë që Serbia të përfitojë nga lirimi i policëve sesa të ndëshkohet për rrëmbimin e tyre në territorin e Kosovës”, deklaron Bilall Sherifi.

Ndërsa, analisti Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se Kurti ka bërë mirë që e ka pranuar ftesën për takim në Bruksel, duke shtuar se bandat në veri duhet të çmontohen dhe përgjegjësit për dhunën në veri duhet të marrin dënimin e merituar.

“Kryeministri Kurti bëri mirë që i tha po takimit të ftuar në Bruksel sepse Kosova nuk ka çfarë të frikësohet nga kjo betejë sepse është në të drejtën e saj për të shtrirë rendin dhe ligjin edhe në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës. Ato banda duhet të çmontohen dhe përgjegjësit e dhunës ndaj ushtarëve italianë dhe hungarezë e gazetarëve kosovarë duhet të marrin dënimin e merituar nga drejtësia kosovare”, vlerëson ai.

Sipas Racit, policët e rrëmbyer në Kosovë duhet të lirohen sa më shpejtë dhe Serbia të mbahet përgjegjëse për shkelje të marrëveshjes së Ohrit.

“Kurse zyrtarët policorë të Kosovës, të rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duhet sa më shpejt të lirohen dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse edhe për faktin se ka shkelur në mënyrë flagrante edhe planin franko-gjerman dhe aneksin e Ohrit, ku thuhej se Serbia dhe Kosova do të respektojnë sovranitetin e njëra-tjetrës. Serbia duhet t’i kthehet zbatimit të këtyre marrëveshjeve nëse dëshiron që një ditë të jetë anëtare e BE-së kurse Kosova marrëdhëniet historike me aleancën veriatlantike duhet t’i kultivojë edhe më shumë përmes një partneriteti strategjik e jo vetëm deklarativ”, deklaron analisti Gazmir Raci./Gazeta Blic/

 

Kurti: Do të shkoj në Bruksel të tregoj se deeskalimi nënkupton lirim të tre policëve

Escobar dhe Lajçak kërkojnë lirimin e menjëherhëm të policëve kosovarë