Sporti

Dy fitore në dy ndeshjet e para, Arsim Abazi: Skuadra po punon mirë – kam një grup të disiplinuar të lojtarëve

08/25/2025 15:14
nga:Lorik J

Skuadra e Ferizajt e ka nisur mjaft mirë kampionatin në Kosovë, duke fituar dy ndeshjet e para, të dyja me rezultatin 1:0.

Ekipi i Arsim Abazit fillimisht triumfoi ndaj kampionit aktual, Dritës, e në vikend e mposhti edhe Prishtinën e Re si mysafir, duke arkëtuar kështu pikët e plota në dy xhirot e para.

Arsim Abazi, kryetrajneri i ekipit thotë se ekipi po luan shumë mirë si grup dhe kjo është arsyeja e fitoreve dhe mos pranimit të golave në dy ndeshjet hapëse të kampionatit.

“Po, në dy ndeshjet e para kemi arritur dy fitore, kemi shënuar 2 gola edhe s’kemi pranu asnjë që do të thotë se skuadra është duke punuar mjaft mirë në fush si grup edhe kjo është aryeja që s’kemi pranu gol”, tha fillimisht Abazi për ‘GazetaBlic Sport’.

Ferizaj edhe sezonin e kaluar pati paraqitje shumë të mira, teksa tani po vazhdon rrugën, kjo pasi sipas Abazit, lojtarët e tij po punojnë shumë në fushë.

“Sa i përket vazhdimit të lojërave të mira si në sezonin e kaluar, kjo tregon se kemi një grup të lojtarëve shumë të disiplinuar në fushë dhe punëtorë te mëdhenj, andaj kjo po shpërblehet me fitore”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport