Lumbardh Dellova është padyshim një nga lojtarët më të mirë të kombëtares së Kosovës dhe klubit të tij CSKA Sofia, pasi paraqitjet e tij vitet e fundit kanë qenë mbresëlënëse dhe rritja e formës së tij ka qenë konstante.
Pas paraqitjeve të mira si me ekipin ashtu edhe me Kosovën, Dellova ka rënë në radarin e disa skuadrave të ndryshme dhe emri i tij është shumë i përfolur në merkaton e verës.
Sipas informacioneve të ‘GazetaBlic Sport’, dy skuadra nga Arabia Saudite e pëlqejnë shumë futbollistin kosovar dhe tashmë janë në garë për shërbimet e tij.
Neom SC dhe Al Najma janë dy ekipet që kanë shprehur interesim për mbrojtësin 26 vjeçar, teksa klubi i Neom është gati ta paguajë edhe klauzolën e lirimit të Dellovës, veçse ta ketë atë në skuadër.
Për Dellovën ka interesim edhe nga ekipi turk, Kocaelispor, teksa mbetet për t’u parë se cili do jetë vendimi i lojtarit dhe klubit bullgar, CSKA Sofia.
Kujtojmë se interesimi nga këto skuadra është në fazën fillestare dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të mos lëvizë në këtë merkato, por e ardhmja e tij nuk pritet të jetë edhe shumë gjatë në Bullgari, shkak interesimi i madh nga klubet e huaja.
/GazetaBlic Sport


