Nga një rrjedhje informacioni nga drafti i strategjisë së sigurisë së SHBA-së, duket se qeveria amerikane përpiqet të përçajë BE-në. Me gjasë SHBA planifikon që të nxjerrë katër vende nga unioni. Sa realiste është kjo?
Marrëdhëniet transatlantike janë cënuar fort që me ardhjen në pushtet të Donald Trumpit. Publikimi i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë (NSS)më 4 dhjetor 2025 u kuptua nga shumë politikanë europianë si një fyerje e hapur. Në dokumentin e strategjisë, që çdo qeveri e SHBA-së duhet t’ia paraqesë kongresit, qeveria Trump e përshkruan Europën si një kontinent në rënie. Shprehimisht bëhet fjalë për një “censurë” ndaj lirisë së shprehjes së mendimit në Europë, një “shtypje të opozitës politike” dhe një “shuarje të mundshme të civilizimit” për shkak të politikës aktuale të migracionit.
Por ndërkohë ka rrjedhur informacion nga një pjesë e papublikuar e dokumentit NSS, që është edhe më i ndërlikuar – dhe përmban më shumë detaje, se si do të veprojëSHBAnë të ardhmen në Europë. Drafti parashikon, që duhet të intensifikohet bashkëpunimi i SHBA-së veçanërisht me Italinë, Austrinë, Poloninë dhe Hungarinë, “me qëllim për t’i shkëputur ato [nga Bashkimi Europian]”, citon portali i SHBA-së Defense One, draftin të cilin pretendon se e ka lexuar. E pyetur nga Portali Defense One Shtëpia e Bardhë e ka mohuar ekzistencën e një drafti të tillë.
Sidoqoftë:A po përpiqet SHBA ta përçajë Bashkimin Europian? Përse pikërisht ka përpjekje për afrim me këto katër vende të BE-së?
Hungaria, Austria, Polonia, Italia
Më pak surprizuese në këtë listë është Hungaria. Kryeministri Viktor Orban dhe presidenti Donald Trumpkonsiderohen aleatë të ngushtë. Orban e ka mbështetur Trumpin gjatë fushatës elektorale më 2016 – asokohe si i vetmi kryeministër nga BE. Të dy e dinë, se çfarë kanë të përbashkët. Orbani vazhdimisht me qendrimet e tij destabilizon BE-në duke e dobësuar një institucion, ndaj të cilit Trump ka mosbesim të madh.
Orbani nga ana e tij gëzohet për mbështetjen politike prej superfuqisë. Me gjasë SHBA i ka ofruar Hungarisë, ngjashëm si Argjentinës së fundi, një “mburojë financiare” prej 20 miliardë dollarësh – Ekonomia e Hungarisë kohët e fundit po dobësohet dhe financimet e rëndësishme nga BE janë pezulluar. Në një intervistë aktuale me Politico Trump nuk kujtohej më të ketë bërë një premtim të tillë. Por ka pasur bisedime për një bashkëpunim financiar. Trump është vazhdimisht i gatshëm, që ta ndihmojë – siç e quan ai – “great friend”, shokun e tij të madh.
Edhe kryeministren e Italisë Giorgia Meloni dhe partinë e saj post-fashiste Fratelli d’Italia e vlerëson presidenti i SHBA-së. Megjithatë Daniel Hegedüs, drejtor rajonal për Europën Qendrore në German Marshall Fund of the United States, mendon se është një “keqkuptim” i qeverisë amerikane, se Meloni mund të dalë kundër BE-së. Sepse ndonëse Meloni ka një afërsi botëkuptimi me Orbanin, ajo nuk është bërë një ndër bllokueset në BE, por ka një qëndrim mjaft pragmatik: Askush tjetër nuk e ka kuptuar më mirë se Meloni, se çfarë i sjell vendit të saj një BE e qendrueshme dhe funksonuese, thotë për DW Hegedüs.
Poloniadhe Austria ndonëse aktualisht nuk kanë qeveri populiste të djathta, deri para pak kohësh të dy vendet kanë pasur në pushtet parti të djathta euroskpetike, që vazhdojnë të kenë influencë të madhe. Në zgjedhjet e fundit në Austri Partia e Lirisë (FPÖ) doli forca më e madhe dhe kryeson sondazhet aktuale. Në Poloni në verë me Karol Navrockin i fitoi zgjedhjet presidenciale kandidati i partisë konservatore të djathtë Ligj dhe Drektësi (PiS). Eshtë e mundur, që qeveria Trump në të dy këto vende së shpejti mendon se mund të ketë sërish mundësi më të mëdha influence.
Përse jo Sllovakia dhe Çekia?
Vëzhguesit mund t’i habisë fakti, që në listën e vendeve nuk përfshihen Republika Çeke dhe ajo Sllovake.
Në Çeki në tetor fitoi zgjedhjet parlamentare partia populiste e djathtë ANO e miliarderit Andrej Babis dhe ka krijuar koalicion me parti gjithashtu të djathta si: Partia e Shoferëve (Motoriste) dhe me atë të ekstremit të djathtë Liria dhe Demokracia Direkte (SPD).
Sllovakia që nga vitit 2023 është spostuar djathtas me qeverinë e Robert Ficos.Partia e tij nominalisht socialdemokrate dhe faktikisht në pjesën më të madhe nacionalsite e djathtë Smer-SD së fundi u përjashtua nga radhët e partive socialdemokrate të Europës (SPE).
Të dy Babis dhe Fico, janë skeptikë ndaj BE-së, të dy kanë potencialin që të nxisin kaos në vendimmarrjen europiane dhe të minojnë autoritetin e BE-së në çështjet strategjike, kryesisht sa ka të bëjë me Rusinë dhe Ukrainën – tipare këto, që qeveria Trump në orientimin aktual do të duhej t’i kishte vlerësuar.
Që këto dy vende nuk shfaqen në dokumentin e strategjisë, sipas politologut Hegedüs, kjo ka të bëjë me rrënjët e secilës parti. ANO për një kohë të gjatë nuk klasifikohej si parti klasike e spektrit majtas-djathtas, ndërsa Smer-SD fillimisht e konsideronte veten si majtas. “Mund ta shohësh qartazi, se sa e ideologjizuar është qasja amerikane”, thotë Hegedüs. “Meqënëse Smer dhe ANO nuk kanë prejardhje klasike populiste të djathtë, ato nuk konsiderohen si shok ideali, edhe pse ndoshta bëjnë një politikë, që është e dobishme për qeverinë Trump.”
Dekompozim gradual i integrimit europian
Përpjekja e parë për ndërhyrje e qeverisë së re të SHBA në proceset demokratike në Europë ishte në fillim të vitit, kur zëvendëspresidenti JD Vance mbajti një fjalim provokues në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Kjo përpjekje u anashkalua pjesërisht nga vëzhgues të raporteve transatlantike duke argumentuar, se qeveria e re në Uashington së pari duhet të përcaktojë rolin e vet të ri. Por qysh atëherë qeveria e SHBA vazhdimisht ka ndërhyrë në Europë në fushatat elektorale si ajo gjermane, rumune e polake. Ndërhyrja ndjek gjithmonë të njëjtin shablon: Mbështetje, kur qeveria Trump sheh aleatë ideologjik – dhe kush dobëson Brukselin.
Qëllimi i SHBA-së nuk mund të jetë një Huxit, Italexit, Auxit apo Polexit, mendojnë ekspertët si Hegedüs – por një shpërbërje graduale e integrimit europian, që ajo mund ta nxisë me mbështetje diplomatike, politike e ndoshta edhe financiare.
Shenjat e para për këtë tani po shihen: BE p.sh. ka rënë dakord për shkëputjen graduale nga varësia e energjisë ruse. Deri në fund të vitit 2026 do të ndalohet importi i gazit të lëngshëm natyror, deri në nëntor 2027 importi i gazit përmes linjave gazsjellëse.
Kryeministri i Hungarisë Orban në nëntor mori një përjashtim nga Trumpi në kontekstin e sanksioneve të SHBA-së lidhur me importet ruse të gazit.Ai deklaroi, se BE-ja nuk do ta pranojë këtë vendim dhe se rasti do të kalojë në Gjykatën Europiane. Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin turk Rexhep Tayip Erdogan të hënën (08.12.2025) Orban deklaroi, se Turqia edhe në të ardhmen do të garantojë që Hungaria të marrë furnizimet me gaz përmes linjës TurkStream.
Eksperti Hegedüs beson, se në vitet e ardhshme vazhdimisht do të ketë raste të tilla, kur vendet anëtare në sektorë të caktuar nuk do t’u përëmbahen rregullave të vendosura bashkarisht dhe në këtë mënyrë do të vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje integrimi europian. BE-ja kësisoj do të gërryhej gjithnjë e më shumë – derisa dikur vërtetë mund të humbiste rëndësinë./DW/


