Kryeministri sllovak Robert Fico po nis një grindje serioze me Ukrainën për shkak të ndalimit të tranzitit të gazit.
Arsyeja nuk është rreziku i krizës energjetike, por problemet e brendshme politike në këtë vend të BE-së.
Ndërsa Rusia bombardon Ukrainën ditë për ditë, fati i popullit ukrainas dhe i vendit të tyre bëhet gjithnjë e më shumë lojë e pushtetit dhe e politikës në disa vende të BE. Në Hungari Viktor Orban gënjen popullin e tij, që të besojë se ai është një “misionar i paqes” – në këtë rol ai bën thirrje kundër opozitës, e cila u shërben “luftënxitësve në Bruksel”. Nga ana tjetër në fushatën zgjedhore në Gjermani Olaf Scholz përpiqet të paraqitet si “kancelar i paqes” dhe “njeri i çtenisionimit”, për t’ua hequr votat partive pro-ruse AfD dhe BSW.
Edhe në politikën e brendshme të Sllovakisë çështja e Ukrainës zien prej kohësh. Por tani kryeministri Robert Fico, me emër socialdemokrat, por në fakt një populist i djathtë, ka nisur një konflikt serioz diplomatik me fqinjin e tij për shkak të ndalimeve të tranzitit të gazit në Ukrainë. Ai kërcënon Ukrainën, se do t`ia ndërpresë eksportet e energjisë elektrike ose ndihmën për refugjatët ukrainas, nëse Ukraina vazhdon të ndalojë transitin e gazit rus. Por në fakt nuk është fjala për rrezikun e një krize energjetike në Sllovaki, por për një shpërqendrim nga problemet e brendshme politike – nga programi i rreptë i kursimeve dhe kriza gjithnjë e më e thellë e koalicionit qeverisës.
Kabineti tripartiak i Ficos në Sllovaki, i përbërë nga populistë të majtë dhe të djathtë, është i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse. Megjithatë deri tani kryeministri ka mbështetur kryesisht politikën e BE për Ukrainën. Kthesa nisi në vjeshtë: në fund të tetorit Fico duke buzëqeshur me sharm, i dha një intervistë propagandistes famëkeqe ruse të luftës Olga Skabejeva, e cila i bën thirrje Putinit të sulmojë Evropën me bomba bërthamore. Aty ai kritikoi BE për “zgjatjen e luftës” në Ukrainë dhe premtoi se do të shkonte në Moskë për paradën e fitores më 9 maj 2025 – për të shënuar 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Vizitë në Moskë
Por Fico shkoi pak para Krishtlindjeve 2024 në Moskë dhe vizitoi diktatorin rus Vladimir Putin. Takimi ishte, siç u tha, për zgjidhjen e problemit me gazin në Sllovaki. Ukraina kishte njoftuar prej kohësh se do të ndërpriste përfundimisht transitin e gazit rus më 1 janar 2025, pas skadimit të kontratës përkatëse me Rusinë. Kryeministri sllovak nuk dha detaje. E paqartë është gjithashtu se si dhe në cilën rrugë ai udhëtoi për në Moskë.