Florian Dushi nga LDK, ka kujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova, në 20 vjetorin e vdekjes, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se “në historinë moderne të shqiptarëve, emri i Ibrahim Rugovës zë një vend të veçantë dhe historikisht të pakrahasueshëm”.
“Sot, trashëgimia e Rugovës nuk është vetëm historike; ajo është edhe udhërrëfyese, veçanërisht për shtetin dhe shoqërinë tonë të trazuar nga politikanë e politika populiste që kanë degraduar çdo segment të jetës. Ajo na mëson se shtetndërtimi kërkon vizion afatgjatë, aleanca të qëndrueshme dhe respekt të pakompromis për demokracinë”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Postimi i tij i plotë:
Në historinë moderne të shqiptarëve, emri i Ibrahim Rugovës zë një vend të veçantë dhe historikisht të pakrahasueshëm. Ai nuk ishte thjesht presidenti i parë i Kosovës, por arkitekti politik dhe moral i një platforme të re për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan – një platformë që e zhvendosi këtë çështje nga logjika e përplasjeve të dhunshme në tryezat e diplomacisë ndërkombëtare.
Rugova e reformoi mendimin politik shqiptar duke ndërtuar një projekt të qartë dhe koherent: Kosova – shtet i lirë, i pavarur, demokratik dhe i orientuar drejt Perëndimit. Në një kohë kur populli i Kosovës përballej me represion sistematik, ai zgjodhi rrugën e rezistencës paqësore, duke e shndërruar atë në instrument politik të besueshëm për botën demokratike. Kjo qasje nuk ishte dobësi, por vizion i thellë strategjik, që synonte fitimin e besimit dhe të legjitimitetit ndërkombëtar për mbrojtjen e substancës shqiptare në Kosovë.
Një nga arritjet më madhore të Rugovës ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës. Me durim, këmbëngulje dhe autoritet moral, ai arriti ta bëjë Kosovën temë të përhershme në agjendat e qendrave kryesore të vendimmarrjes botërore. Në kancelaritë evropiane, në Washington dhe në forumet ndërkombëtare, Rugova fliste me gjuhën e vlerave universale: lirisë, të drejtave të njeriut, demokracisë dhe paqes. Kjo gjuhë e bëri Rugovën, por veçanërisht Kosovën të kuptueshme dhe të pranueshme për aleatët tanë natyrorë.
Rugova ishte burrështetas me autoritet të paprecedentë në historinë shqiptare. I respektuar si askush para Tij nga udhëheqës botërorë, Rugova përfaqësonte një figurë të rrallë: intelektualin që u shndërrua në lider nacional pa humbur asnjëherë qetësinë, maturinë dhe dinjitetin. Autoriteti i tij nuk buronte nga forca, por nga besueshmëria, qëndrueshmëria, guximi dhe vendosmëria për të realizuar projektin për shtetin e Kosovës.
Sot, trashëgimia e Rugovës nuk është vetëm historike; ajo është edhe udhërrëfyese, veçanërisht për shtetin dhe shoqërinë tonë të trazuar nga politikanë e politika populiste që kanë degraduar çdo segment të jetës. Ajo na mëson se shtetndërtimi kërkon vizion afatgjatë, aleanca të qëndrueshme dhe respekt të pakompromis për demokracinë. Projekti i tij për Kosovën – shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik – mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja jonë politike.
Prandaj, në këtë përvjetor përkujtimi, Ibrahim Rugova nuk kujtohet vetëm si president, por si ideator i një epoke, si simbol i rezistencës së mençur dhe përfundimisht si themelues i shtetit të pavarur, sovran e demokratik të Kosovës.


