Lajme

Dushi i LDK-së: PZAP ishte ngutur për Dragashin, Gjykata Supreme e korrigjoi vendimin

11/25/2021 14:21
nga:Gazeta Blic

Përfaqësuesi i LDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme, i cili ka urdhëruar rivotim në Dragash, për votuesit e regjistruar të mërgatës.

Ai ka theksuar për Gazeta Blic se vendimi i Gjykatës Supreme e ka korigjuar vendimin siç është shprehur ai “të ngutshëm të PZAP-së”.

“Personalisht mendoj që procesi i votimit përmes postës ka qenë në rregull, si i tillë në përputhje të plotë me ligjin dhe rregullat e KQZ-së. Njëjtë është zhvilluar ky proces edhe në raundin e parë,  por në raundin e dytë vërejtjet kanë filluar vetëm pasi është kuptuar rezultati i cili ishte thellë në favor të kandidatit të LDK-së”, tha ai.

Sipas Dushit, me vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme do t’u mundësohet qytetarëve të Komunës së Dragashit të cilët jetojnë në mërgim që edhe njëherë të shprehin vullnetin e tyre në një proces që do të organizohet nga KQZ-ja

“Sido që të jetë, edhe pse vendimi i PZAP-it ishte i ngutshëm dhe nuk kishte përfshirë verifikimet e zakonshme, Gjykata Supreme ka korrigjuar këtë vendim dhe besoj që me këtë do t’iu mundësohet qytetarëve të Komunës së Dragashit të cilët jetojnë në mërgim që edhe njëherë të shprehin vullnetin e tyre në një proces që do të organizohet nga KQZ-ja”, tha ai për Gazeta Blic.

Gjykata Supreme vendosi rivotim të pjesshëm në Dragash: Vjen reagimi nga PDK

Ekskluzive: Vendos Gjykata Supreme, Diaspora do të votojë sërish për Dragashin