Lajme

Durrës: Trafikimi me vepra arti lë në pranga dy persona

03/30/2024 12:05
nga:N K

Janë arrestuar dy burra në Durrësit pasi akuzohen për vjedhje dhe trafikim të veprave të artit.

Ata janë kapur në flagrancë në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, Rrogozhinë, duke lëvizur me një automjet, ku u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme, bën të ditur Policia e Shtetit.

Njëri prej tyre, duke përfituar nga fakti se ishte i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si roje dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër, dhe më pas në bashkëpunim me të dyshuarin e dytë, i trafikonin me qëllim përfitimin.

Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 mijë deri në 20 mijë euro. Policia vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.