Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës dhe Mjedisit, Hysen Durmishi, ka deklaruar se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti ka realizuar investime infrastrukturore në të gjitha komunat e vendit, pa përjashtim.
Sipas Durmishit, kjo është hera e parë që Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me të gjitha komunat e Kosovës.
Ai ka shtuar se në vitet e para të mandatit, komunat e Gjakovës dhe Fushë-Kosovës fillimisht nuk kishin paraqitur kërkesa për projekte, por më vonë edhe me to janë nënshkruar memorandume bashkëpunimi.
“Nuk ka komunë në Kosovë ku ne nuk kemi bërë investime si Qeveri e Kosovës, si Ministri e jona. Jemi Qeveria e parë që kemi nënshkruar memorandume mirëkuptimi me 38 komuna, pra me të gjitha. Kanë qenë dy komuna Gjakova dhe Fushë-Kosova në dy-tre vitet e para që as nuk kanë bërë kërkesa, por që pastaj kemi pasur memorandume me ta”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Durmishi ka theksuar se për herë të parë ministria ka investuar në të gjitha komunat e Kosovës, kryesisht në ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve lokale.
Sipas tij, këto investime përfshijnë vetëm rrugët lokale, pa i përfshirë projektet në rrugët rajonale dhe nacionale.
“Për herë të parë si Ministri kemi investuar në të gjitha komunat e Kosovës. Në Deçan kemi investuar 131 km, në Dragash 23.82 km, në Drenas 22.73 km, në Ferizaj 119 km, në Fushë-Kosovë 3.43 km, në Gjakovë 42 km, në Gjilan 55 km, në Graçanicë 10.6 km, në Han të Elezit 3.53 km”, e të tjera….. këto janë rrugë lokale, pa i përfshirë rrugët rajonale e nacionale”, tha ai.


