Zëvendëskryeministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi në një lidhje dirkete me Arben Ahmetin, ka folur për punimet që po zhvillohen në autostradën Prishtinë – Podujevë dhe atë Prishtinë – Gjilan.
Ai është shprehur i bindur se punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë do të përfundojnë këtë vit.
“Këtë vit përfundon, kemi pasur disa probleme me çështjen e shpronësimit por shumë shpejtë ato zgjidhen edhe pjesa e rrugës pothuajse është e përfunduar dhe kanë mbetur vetëm strukturat, një pjesë e tyre”, ka thënë Durimishi.
Ndërsa sa i përket autostradës Prishtinë-Gjilan Durmishi ka thënë se atje kanë nisur punimet në disa pjesë, teksa ka shtuar se janë në pritje të një raporti detajues për të parë se si do të zhvillohen punimet në vijim.
“Në disa pjesë kanë filluar punimet jemi duke analizuar, duke e pritur një raport me të detajuar nga të gjithë menaxherët në mënyrë që ta shohim se si do të vazhdojmë. Mund të ndodh që të shkëputën këto kontrata, të bëhet një kontratë e re në mënyrë që me e përmbyll, për shkak se ka pas riformatime të kontratave, janë kontrata të vjetra, çmimet shumë janë të lira, atë kohën kur ka qenë 20 përqindëshi është shfrytëzu shumë pak edhe operatorët ekonomik e kanë të vështir me punu me çmimet që i kanë pasur në kontratë. Ka pas probleme tjera ne rrëshqitje në ujera nëntokësor”, ka thënë Durmishi.


