Lajme

Durmishi del me sqarim për aksidentin në Pestovë të Vushtrrisë, ku vdiq një person

11/07/2024 16:22
nga:G B

Një aksident tragjik ka ndodhur në mbrëmjen 6 nëntorit në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, duke rezultuar në humbjen e jetës së një të riu 21-vjeçar.

“Me datë 06.11.2024 rreth orës 22:00, policia në Mitrovicë ka pranuar informatën se në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, në f.sh. Pestovë të Vushtrrisë ka ndodhur një aksident me lëndime te rënda në të cilin ishte përfshirë një automjet me targa vendore.

Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, mirëpo rreth orës 00:40 të datës 07.11.2024 policia është njoftuar nga emergjenca e QKUK-së, se si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, personi i lënduar i moshës 21 vjeçare ka humbur jetën”, kishte njoftuar Policia para disa orësh.

Ministria e Infrastrukturës, përmes zv/ministrit Hysen Durmishi, ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen e të ndjerit dhe ka sqaruar situatën lidhur me projektin e rrugës Milloshevë-Mitrovicë.

Sipas Durmishit, projekti është duke u mbikëqyrur nga një kompani konsulente që kujdeset për sigurinë dhe rregullsinë e punimeve.

Në raportin e kërkuar nga punëkryesi dhe kompania mbikëqyrëse, është konstatuar se në rrugë ka sinjalistikë të nevojshme, dhe se aksidenti ka ndodhur në një pjesë ku ishte ndaluar qarkullimi i automjeteve.

“Së pari ju shprehim ngushllimet tona të sinqerta familjarëve me rastin e humbjes së jetës së familjarit të tyre.

Në projektin e rrugës Milloshevë – Mitrovicë përveç kontraktorit e kemi të angazhuar edhe një kompani konsulente e cila bënë mbikqyrjen e punimeve dhe kujdesen për mbarëvajtjen e punimeve dhe për sigurinë në punishte.

Menjëherë pas rastit kemi kërkuar një raport nga punëkryesi dhe kompania mbikqyrëse. Në bazë të këtij raporti konstatohet se në rrugë ekziston sinjalistika e nevojshme dhe aksidenti ka ndodhur në pjesën e rrugës ku ka qenë i ndaluar komunikacioni”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

Zv/ministri ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë rastin me prioritet për të zbardhur shkaqet e aksidentit sa më parë.

“Megjithatë, me rastin po merret policia e Kosovës dhe po presim raportin zyrtar të tyre. Me këtë rast ftojmë policinë e Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me prioritet që sa më parë të zbardhen arsyet e aksidentit.

Me këtë rast ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të lëvizin me kujdes në vendet ku zhvillohen punimet dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe sinjalistikën në vendëpunishte”, ka shkruar Durmishi.