Është konstituuar mes debatesh Këshilli Bashkiak i Himarës. Në këtë mbledhje të parë, u zgjodh edhe kryetari i këshillit bashkiak, ku triumfoi socialisti Dhimitër Kapaj me 13 vota përballë Afrovita Dhimojani që mori vetëm 8 vota.
Gjatë mbledhjes morën pjesë përfaqësuesit më të lartë politikë të PS në Vlorë, kreu i PBDNJ, dhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Kostandina Kamitci.
Për kreu e PBDNJ, Vangjel Dule, mbajtja në burg e Belerit është një njollë e zezë për demokracinë shqiptare, por premtoi se kësaj çështje do i shkohet deri në fund.
“E mbajnë në burg pa ju dhënë e drejta kushtetuese për të marrë përsipër atë që i ngarkoi sovrani kreun e bashkisë së Himarës. As të lexojnë vendimin e gjykatës së Faktit për Vlorën nuk pritën. E kuptoni e shikoni dhe të gjithë bashkëqytetarët le të nxjerrin konkluzionin. Kjo ishte një njollë e zezë për demokracinë, për shtetin e se drejtës parimet dhe vlerat europiane”, tha Dule.
Në kohën që brenda bashkisë Himarë zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak, jashtë ambienteve të saj, disa prej mbështetësve të Fredi Belerit kanë shfaqur një banderole, ku kërkonin lirimin e tij.
/Euronews Albania/


