Lajme

Dugolli thotë se pret reflektim nga BE-ja pas njëanshmërisë së Borrellit në dialog

11/22/2022 22:26
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli deklaroi se Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell u tregu i njënashëm në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, ky është një sinjal negativ për Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.

“Unë mendoj që Kosova asnjë herë nuk e ka thënë dhe nuk e zgjedh ndërmjetësuesin, është BE që e ka caktuar Borrellin përfaqësues. Unë mendoj që Borrell ashtu siç e tha Kurti u pa qartë se ishte i njëanshëm dhe këtu mendoj që ajo u pa dhe ishte sinjal jo i mirë për dialogun dhe procesin e dialogut”, tha ai.

Madje, Dugolli në emisionin “Këndi i Debatit” në tëvë1 u shpreh optimist se BE-ja do të ndërmerr masa në këtë drejtim.

“Prandaj në këtë drejtim pres dhe besoj që BE-ja do të ketë parasysh këtë fakt dhe do të përmirësohet ajo çka mundet me përmirësu”, tha ai.

Ndryshe, Borrell të hënën akuzoi Kosovën se nuk pranoi propozimin e tyre për çështjen e targave ilegale serbe, duke shtuar se “është sinjal negativ politik për Kosovën”.