Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Televizionit të Kosovës (RTK), Rilind Gërvalla, dhe ushtruesen e detyrës së kryeredaktores, Venera Xhoxhaj-Adili, në kuadër të bashkërendimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Sipas Dugollit, gjatë takimit është dakorduar që RTK edhe këtë vit të vazhdojë mbështetjen e fushatave sensibilizuese dhe vetëdijesuese për parandalimin e zjarreve, rritjen e sigurisë në trafik, luftimin e posedimit dhe përdorimit të paligjshëm të armëve të zjarrit, parandalimin e përdorimit të drogave dhe substancave të tjera narkotike, luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, si dhe dukurive të tjera që cenojnë sigurinë publike dhe mirëqenien e qytetarëve, raporton Gazeta Blic.
Ai theksoi se RTK është zotuar që këto tema me interes publik t’i trajtojë edhe përmes skemave programore dhe emisioneve tematike.
“Në këtë kuadër, agjencitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me RTK-në, do të përgatisin materiale sensibilizuese dhe do të bashkëpunojnë në realizimin e përmbajtjeve mediale, në përputhje me nevojat dhe prioritetet institucionale”, ka shkruar Dugolli.
Në përfundim të takimit, Dugolli falënderoi drejtorin, kryeredaktoren dhe stafin e RTK-së për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve me interes publik, duke vlerësuar kontributin e tyre në informimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për çështje që lidhen me sigurinë dhe interesin e përgjithshëm.


