Lajme

Dugolli: Tahiri shau kur u përmendën shurdhuesit e armës e jo pse u përmend Thaçi

04/28/2022 18:37
nga:Astrit Gashi

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka kritikuar ashpër sharjen që kolegu i tij nga PDK-ja e bëri në seancën e sotme ku u nxeh fort debati mes pozitës e opozitës për Komisionin Hetimor për Energji.

“Kishte dy momente shumë interesante sot në Kuvendin e Kosovës. E para ishte se Lëvizja Vetëvendosje do ta zhbllokojë procesin për Komisionin Hetimor dhe do që ta nxjerrë edhe opozitën nga qorrsokaku që e kanë futur vetveten dhe kjo nuk u mirëkuptua, përkundrazi pati eskalim të situatës me sharje nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së [Abelard Tahiri]”.

“Kjo sharje nuk i bën nder as atij, as familjes së tij, e as PDK-së. Nuk i bën nder as Kuvendit, sepse ne jemi deputetë dhe përfaqësues të qytetarëve, prandaj çdo sharje e fyerje ndaj njëri-tjetrit është fyerje edhe për votuesit tonë. Ne nuk e kemi dëgjuar, sepse ai e ka harruar mikrofonin ndezur dhe kjo e shpërfaqi sharjen që ishte e drejtuar ndaj deputetëve të mazhorancës”.

Dugolli i tha Klan Kosovës se arsyeja pse Abelard Tahiri u nervozua dhe shau nuk kishte të bënte me përmendjen e emrit të Hashim Thaçit, por me përmendjen e armës që kishte në posedim si pjesë e kabinetit të ish-presidentit.

“Nuk ishte që eskaloi Abelard Tahiri për shkak se u përmend Hashim Thaçi. Eskaloi në atë moment kur u përmendën shurdhuesit dhe ky skandal besoj se nuk mund të justifikohet tash në asnjë mënyrë për shkak se në momentin kur u përmenden shurdhuesit, gjë që ai i ka borxh qytetarëve t’ua shpjegojë pse ju deshën shurdhuesit në kabinetin Thaçi jashtëligjshëm, e humbi kontrollin dhe shau”, tha Dugolli.