Lajme

Dugolli – Stanos: Me mos-heqjen e masave, po inkurajoni Serbinë që të shkaktojnë incidente

05/02/2024 18:51
nga:G C

Deputeti i VV’së, Enver Dugolli thotë se çdo minutë që kalon me masat ndëshkuese për Kosovën, shtohet padrejtësia ndaj shtetit tonë.

Dugolli në një prononcim për GazetaBlic thekson se, me mos-heqjen e masave po inkurajojnë Serbinë për të shkaktuar incidente.

“Deeskalimi ka ndodhur, çdo minutë që kalon më shumë me masat e vendosura kundër Kosovës, shtohet padrejtësia kundër nesh, ndërsa inkurajojnë Serbinë për të shkaktuar incidente e destabilitet, ashtu siç e kemi parë”, tha Dugolli.

Ai tutje, bëri thirrjë që këto masa të hiqen, pasi siç thotë Dugolli, nuk ekzistojnë më as pretendimet për të cilat Kosova u ndëshkua.

“Ne nuk i kemi dashur asnjëherë këto masa, teksa në vazhdimësi kemi thënë që janë të padrejta dhe kremi kërkuar që të hiqen. BE-ja do të bënte mirë që të merrte vendimin për heqjen e tyre të menjëhershme, sepse kanë pushuar së ekzistuari edhe ato pretendime kur u vendosën”, tha Dugolli për GazetaBlic.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.

Stano më 2 maj tha se mbajtja e votimeve në komunat në veri të Kosovës më 21 prill, ishte një prej disa kushteve që BE-ja vendosi për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Këto votime, ku qytetarët mund të zgjidhnin nëse dëshironin ose jo të largonin kryetarët shqiptarë të zgjedhur vitin e kaluar, dështuan për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme në votime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët gjatë së enjtes tha se Qeveria që ai udhëheq ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese. /GazetaBlic/