Lajme

Dugolli: Serbia dëshiron tensione të reja në Kosovë, s’do t’ia dalë – vendimi për dinarin nuk i godet serbët

02/18/2024 14:26
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për çështjen e dinarit, shqetësimet e ndërkombëtarëve dhe rrezikun për tensione.

Ai thotë se të gjithë e kanë pranuar se vendimi është i ligjshëm, duke shtuar se ai është i vonuar.

“Një gjë që po besoj të gjithë e kanë pranuar dhe shprehimisht në deklarime, se vendimi ka qenë i bazuar në ligj, në Kushtetutë dhe si i tillë është vendim i pritur dhe mbase i vonuar pasi që 20 e më shumë vjet s’ka pasur një rregullore të qartë që i definon këto çështje, prandaj kjo rregullore që ka hyrë në fuqi me 1 shkurt tenton që të vë korniza ligjore sa i përket përdorimit të valutës dhe edhe zyrtarisht edhe me ligj ne kemi vetëm një valutë që është në qarkullim, euro, andaj si e tillë duhet të zbatohet në tërë territorin e Kosovës”, shprehet Dugolli.

Sipas tij, shqetësimet e ndërkombëtarëve kanë të bëjnë me fazën tranzitore, por që BQK ka publikuar planin 10 pikësh dhe do të ketë tranzicion e s’do të ketë ndëshkime të menjëhershme.

“Shqetësimet që janë ngritur nga miqtë tanë nuk kanë të bëjnë me rregulloren por me fazën tranzitore, ku kanë kërkuar që të ketë një lloj kalimi më të butë, për të mos u ndjerë efekti i saj i menjëhershëm te komuniteti serb, gjë të cilën në fillim e ka thënë Qeveria, kryeministri e guvernatori, se nuk do të ketë menjëherë zbatim strikt të saj, nuk do të ndëshkohen qytetarët ata që nuk janë përshtatur ende me rregulloren dhe ishim dëshmitarë të asaj që BQK publikoi planin 10 pikësh, i cili siguron një tranzicion për zbatimin e plotë të rregullores së BQK-së”, vlerëson deputeti për Gazeta Blic.

Dugolli potencon se vendimi është i mirë për qytetarët serbë dhe nuk i dëmton ato, por nuk lejon futjen me thasë të dinarëve në Kosovë siç ka ndodhur, e që ato të përdoren për krim e terrorizëm.

“Që në fillim është thënë se nuk do të ketë ndëshkime të menjëhershme si pasojë e moszbatimit të kësaj rregullore dhe shqetësimet janë ngritur mbi supozimet se do të ketë tensione, pakënaqësi, por nëse i referohemi faktit mbi 38 mijë qytetarë serbë kanë llogari të hapura në bankat e licencuara, të cilët pranojnë edhe paga, pagesa, pensione e ndihma sociale në ato llogari dhe pjesa tjetër e serbëve që nuk kanë llogari të hapura në këto banka, është supozuar që brenda kësaj kohe t’i hapin edhe ata, të bëhet një kalim i nevojshëm, një fazë tranzitore, e cila do t’i jepte kohë edhe qytetarëve serbë që t’i hapin ato xhirollogari, për shkak se qytetarët do të përfitojnë, nuk është se kjo rregullore do t’i godet ata, përkundrazi, qytetarët janë ata që do të përfitojnë e po ashtu do të përfitojë edhe shteti pasi futja e dinarit me thasë në Kosovë e pakontrolluar lë për të dyshuar se ato para janë përdorur për qëllime të jashtëligjshme, pasi pjesa dërmuese e tyre nuk kanë përfunduar në xhepat e qytetarëve që kanë nevojë, por kanë përfunduar në financime të dyshimta për terrorizëm, shpëlarje parash, krim, e të tjera”, thekson Enver Dugolli.

Sipas tij, shqetësimi i ndërkombëtarëve ishte te pakënaqësia që mund të shkaktohej te serbët, teksa thekson se dinari mund të posedohet nga serbët por që s’mund të bëhen pagesa me të.

“Mbledhjen e KS të OKB-së e thirri Serbia, e cila është shqetësuar sepse nuk do të ketë mundësi më paratë e krimit e të shpëlarjes së parave t’i bëjë siç i ka bërë deri tani, do të ketë ligjshmëri dhe të gjitha ato para që hyjnë do të kontrollohen. Ne kemi bërë një bashkëpunim, BQK me Bankën Qendrore të Serbisë, një lloj marrëveshje për transaksione që gjithçka të jetë transparente, publike dhe t’i nënshtrohet ligjit. Pra, shqetësimi që është ngjallur edhe te miqtë tanë është supozuar se do të ketë pakënaqësi të mëdha nga komuniteti serb por unë mendoj që kjo pikërisht po bëhet për qytetarët, që ata të jenë të barabartë dhe të adaptohen dhe të kenë rregull se si bëhen pagesat, të cilat duhet të bëhen me euro. Ndërsa, nuk është e vërtetë se po ndalohet dinari, ai mund të posedohet, por duhet ta konvertojnë që të bëjnë pagesa në euro”, deklaron ai.

Deputeti i VV-së thotë se Serbia është e interesuar që të shkaktojë tensione të reja në Kosovë, por që s’do t’ia dalë, pasi serbët në veri duan të jetojnë të qetë dhe të barabartë, e jo nën tutelën e Radojçiqit.

“Pamfletet e shpërndara në atë pjesë të veriut janë një lloj përpjekje e nxitjes së tensioneve, e që kryekëput ka të bëjë me Serbinë, që po shfrytëzon grupe të caktuara kriminale që po nxisin urrejtje, tensione, dhunë. Mirëpo mendoj që nuk do t’ia dalin, sepse ka kaluar një kohë shumë e madhe për të cilën qytetarët serbë mund të shohin të vërtetën, pra ata nuk janë të interesuar që të jetojnë edhe më tej nën tutelën e Radojçiqit dhe formacioneve terroriste, janë të interesuar të jetojnë të qetë, pa dhunë, pa diskriminim, të lirë të shprehin vullnetin e tyre edhe politik dhe që të jetojnë të qetë e të barabartë. Nuk do t’ia dalin, edhe përkundër që Serbia është interesuar që të ketë tensione të reja në Kosovë”, përfundon deputeti Enver Dugolli./Gazeta Blic/

Qalaj: Qeveria asnjë sukses – PDK synon të dalë e para në zgjedhje, deklaratat e VV-së janë propagandë