Lajme

Dugolli, republikanes Tenney: Po e justifikoni paturpshëm sulmin terrorist

09/27/2023 16:10
nga:G B

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara Ilir Dugolli, i ka reaguar anëtarës së Kongresit Claudia Tenney.

Ai i tha kongresmenes Tenney se po e justifikon paturpshëm sulmin terrorist të së dieles ndaj policisë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Këto deklarime të Dugollit erdhën pasi republikanja e përshëndeti dënimin e sulmit nga ana e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Në vend që të ekstradohen apo ndiqen penalisht, dhjetëra terroristë po glorifikohen dhe mbrohen në Serbi, ashtu si vrasësit e vëllezërve Bytyqi janë mbrojtur nga drejtësia për më shumë se dy dekada, pavarësisht thirrjeve të shumta nga SHBA për t’i zbatuar ata dhe premtimet e Vuçiqit për t’i bërë”, tha Dugolli.

“Sa i përket marrëveshjeve, ka pasur vetëm një palë që ka vepruar me mirëbesim dhe e përkushtuar për zbatimin e plotë të tyre, dhe kjo sigurisht që nuk është Vuçiq dhe Serbia e tij autokratike”, theksoi Dugolli.

Më 25 shtator, një ditë pas sulmit të organizuar terrorist mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, përfaqësuesja e republikanëve në Kongres, Claudia Tenney, kishte thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duhet t’i përmbahet marrëveshjes së vitit 2013-të.

“Të krijojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe për të de-përshkallëzuar tensionet”, kishte thënë ajo.