Njohësi i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë dështuar ta bëjnë normalizimin politik në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Deputeti i Lëvizjes Vetvendosje, Enver Dugolli, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se qasja e ndërmjetësuese në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë e balancuar.
Tutje ai thekson se toleranca ndaj Serbisë në procesin e dialogut ka trimëruar Vuçiqin.
“Qasja e ndërmjetësve në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë e balancuar. Toleranca ndaj Serbisë edhe atëherë kur shkilte me të dyja këmbët zotimet e marra në procesin e dialogut sikur kanë trimruar Vuçiqin për të vazhduar me qasjen krejtësisht të kundërtën me atë çka do duhej të ndodhte”, tha ai.
Dugolli potencon se në këtë periudhë nuk kemi parë që janë marrë masa ndaj Serbisë, por kemi parë një presion të vazhdueshëm ndaj Kosovës deri në vënien e masave të BE ndaj vendit tonë.
Ai thekson se me ndërmjetësuesit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dukshëm mungojnë rezultate të mira.
“Gjatë kësaj periudhe ne nuk kemi parë ndonjë masë apo qortim serioz ndaj Serbisë (edhe pas sulmit terrorist ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës në shtator të vitit të kaluar) ndërsa kemi parë një presion të vazhdueshëm ndaj Kosovës deri në vënien e masave të BE ndaj vendit tonë. Tani për rolin e Lajçak dhe Escobar nuk na takon neve të vlerësojmë pasi që ne nuk i kemi zgjedhur në këtë rol. Diçka që pashmangshëm duhet thënë është se rezultatet mungojnë”, përfundoi Dugolli për GazetaBlic.


