Lajme

Dugolli: Pretendimet se kam pranuar fajësinë për plagjiaturë, janë të pavërteta!

09/07/2022 18:28
nga:Y I

Profesori universitar, Bujar Dugolli, ka demantuar lajmet që kanë qarkulluar gjatë ditës së sotme se i njëjti ka pranuar fajësinë për plagjiaturë, raporton Gazeta Blic.

Dugolli thotë se pretendimet e ORCA se i njëjti ka pranuar fajësinë, janë të pavërteta.

“Video e paautorizuar që shperndanë ORCA, të shkëputur nga diskutim i gjatë, që synon të vërtetojë pretendimet e tyre, janë të pavërteta, por dëshmon se këto veprime janë pjesë e një fushate të gjerë dhe denigruese të ndërmarrë nga kjo organizatë” shkruan Dugolli në Facebook.

Tutje Dugolli në reagimin e tij theksoi se Senati i Universitetit të Prishtinës dëshmoi se nuk i nështrohet ndikimeve nga jashtë.

Reagimi i plotë:

Dje Senati i Universiteti të Prishtinës, ka diskutuar në lidhje me vendimin e Këshillit të Etikës, ndaj të cilit kam paraqitur ankesë, duke e cilësuar si joprofesional, jo të arsyeshëm dhe jo të drejtë.

Gjatë arsyetimit të paraqitur në Senat, kam shprehur të gjitha pikëpamjet e mia në lidhje me këtë vendim të cilin, kjo instancë vendimmarrëse e UP-së e hodhi poshtë si të tillë.

Pretendimet se unë kam pranuar fajësinë, për pretendimet e ORCA-s, janë plotësisht të pa vërteta. Video e paautorizuar që shperndanë ORCA, të shkëputur nga diskutim i gjatë, që synon të vërtetojë pretendimet e tyre, janë të pavërteta, por dëshmon se këto veprime janë pjesë e një fushate të gjerë dhe denigruese të ndërmarrë nga kjo organizatë.

Senati i Universitetit të Prishtinës edhe njëherë dëshmoi se ky institucion nuk i nënshtrohet ndikimeve nga jashtë dhe nuk përkrahë vendime joprofesionale dhe që bien ndesh me rregullativen ligjore në UP.
B.D.