Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Enver Dugolli, e ka vlerësuar stërvitjen shumëkombëshe “Defender Europe 2025” si një moment të rëndësishëm historik dhe strategjik për Republikën e Kosovës, e cila për herë të parë është nikoqire e këtij operacioni të madh ndërkombëtar.
“Rëndësia e pjesëmarrjes së Republikës sonë në këtë stërvitje, më të madhën që Ushtria Amerikane realizon në Evropë, është e jashtëzakonshme,” thekson Dugolli, duke nënvizuar peshën e veçantë që kjo stërvitje ka për pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ai kujton se Kosova është tashmë një pjesëmarrëse e konsoliduar në “Defender Europe”.
“Kosova është nikoqire dhe pjesëmarrëse për të tretën herë në ‘Defender Europe’ dhe kjo flet shumë për besimin që shteti ynë ka tek partnerët, ku krahas 29 ushtrive të vendeve aleate merr pjesë edhe Kosova.” tha ai.
Dugolli e sheh këtë pjesëmarrje si një provë të qartë të rritjes së kapaciteteve ushtarake të Kosovës dhe të përkushtimit të saj ndaj standardeve ndërkombëtare.
“Në këtë stërvitje, FSK-ja do ketë mundësi të demonstrojë aftësitë e saj të bashkëveprimit me ushtri të tjera aleate në mbrojtje të territorit, mbështetje autoriteteve civile etj” shtoi tutje.
Sipas tij, përfitimet strategjike që vijnë nga “Defender Europe 2025” janë të shumëfishta dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në konsolidimin e pozitës së Kosovës si një shtet që kontribuon në sigurinë rajonale dhe globale.
“FSK-ja po bëhet ushtri e besueshme dhe e përgatitur me standarde të njëjta me shtetet anëtare të NATO-s dhe do të ndikojë patjetër edhe në rrugën tonë përpara në integrimet veri-atlantike të vendit tonë,” deklaron Dugolli.
Për Dugollin, “Defender Europe 2025” është shumë më tepër se një stërvitje ushtarake është një sinjal i fortë politik, diplomatik dhe ushtarak për aleancat e Kosovës, si dhe një mundësi reale për avancim të integrimit euroatlantik të vendit./frontonline/


