Lajme

Dugolli i përgjigjet Haradinajt që e cilësoi Kurtin të rekrutuar të Serbisë

06/07/2024 17:11
nga:Sh R

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli ka komentuar deklaratën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj se kryeministri Albin Kurti është i rekrutuar i Serbisë.

Dugolli te DPT Te Fidani, ka thënë se këtë nuk e ka pritur nga një person që ka luftuar për çlirimin e Kosovës.

“është për keqardhje kjo nga një ish-komandant, një luftëtar i lirisë, që ka bërë një luftë të shkëlqyeshme, të jashtëzakonshme me gjithë vëllezërit e tij, por se lëshohet në këto nivele kaq të ulëta kurrë nuk e kisha besuar, sepse Haradinaj e di shumë mirë se Kurti është njeri i pathyeshëm, që kurrë në jetën e tij nuk do t[ pranonte që të rekrutohej”, ka thënë Dugolli.

“Këtë ta dëshmojnë ish të burgosurit dhe të gjithë dëshmitarët e atyre që ka përjetuar Kurti”, ka shtuar ai.

Teksa ka pyetur se si është e mundur që Kurti të torturohet, por nëse është dikush që është torturuar më së shumti, është Albin Kurti.

“Qëndresa e tij, gatishmëria e tij për të shkuar deri në vdekje ka qenë motivacion për të tjerët që të qëndrojnë”, ka thënë ai.

“Prokuroria do të duhej ta intervistonte Haradinajn. Nuk bën që në Kosovë të mbizotërojë ky diskurs dhe idesë se secilit mund t’i thuhet ‘tradhtar’. Le t’i tregojë faktet”, ka shtuar deputeti Dugolli.