Lajme

Dugolli: Edhe ne po e pyesim KFOR-in kur është koha që mund të largohen barrikadat

12/14/2022 22:35
nga:Genita C

Barrikadat në veri të vendit ende nuk janë larguar. Por se kur do të largohen ato, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli thotë se po e pyesin edhe KFOR-in.

Sipas Dugollit, pyetja që po i bëjnë KFOR-it është “kur është koha që po llogaritet” për t’i hequr barrikadat.

“Por edhe ne, edhe ne po ua shtrojmë këtë pyetje KFOR-it dhe miqve tanë. Deri kur është ajo koha e juaj që llogaritni që duhet të na jepni që t’i largojmë këto barrikada?! Edhe ne po pyesim”, tha ai në “Këndi i Debatit”.

Dugolli shtoi se me rëndësi është që të gjithë kanë konstatuar se barrikadat janë të paarsyeshme e të palejueshme, dhe si të tilla pengojnë lirinë themelore të njeriut, atë të lëvizjes.

Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar misionit të NATO-s në Kosovë që ta garantojë lëvizjen e lirë në veri. Ai ka njoftuar se po pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat.

Vendosja e kamionëve nga serbët lokalë erdhi pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq. Ndërsa, për heqjen e këtyre barrikadave kanë bërë thirrje ambasada amerikane dhe britanike në Kosovë e Serbi.