Komentatori i njohur kosovar, Arben Berisha i cili dhuroi emocione për shikuesit të sportit në Kosovë për vite me radhë ishte i ftuar në “Blic Interview” aty ku mes shumë temave foli rreth karrierës së tij shumë vjeçare dhe momentet e tij më emocionuese përgjatë komentimit të ndeshjeve.
Berisha kishte të vështirë të ndante tre nga ndeshjet më emocionuese për të, megjithatë si nga duelet më të veçanta që ka komentuar e veçon debutimin e Kosovës në ndeshjet ndërkombëtare pas pranimit në institucionet e mëdha botërore të futbollit, përkatësisht ndeshja mes Kosovës dhe Haitit, shkruan GazetaBlic.
“Do t’i ndaja në komentime emocionale që është ndeshja Kosova – Haiti, ndeshja e parë ndërkombëtare e lejuar nga FIFA kur ende nuk ishim të pranuar. Ishte ndeshje shumë emocionale, sepse e kishim pritur gjatë. Pastaj ka ndeshje spektakolare, ku aspekti emocional nuk të prekë shumë por thjesht për atë se çfarë kë parë”, tha fillimisht ai.
Tutje, poashtu Berisha veçon edhe ndeshjen finale të Botërorit, Katar 2022 aty ku futbollisti legjendar, Lionel Messi u dekorua me kupën që i mungonte në karrierën e tij të bujshme duke e mposhtur Francën në finale dhe duke ia dhuruar Argjentinës Kupën e Botës.
“Unë mendoj që jam me fat që kam qenë në vendin e ngjarjes dhe kam transmetuar finalen më të mire të të gjitha kohërave të futbollit, finalen mes Argjentinës dhe Francës, finale që u vendos me penallti në Katar 2022. Sikur drejtësia për shumë kë erdhi në vend, me Leo Messin që duhet ta mbërrinte Maradonën me dy finale të botërorit, njërën të humbur e tjetrën të fituar, e realizoi ëndrrën e tij. Edhe këtë do ta fusja në listën e ndeshjeve për mua që e kam transmetuar. Pastaj ndeshjet e para që Kosova luajti në ‘Fadil Vokrri’, edhe ato ishin shumë emocionale”, shtoi Berisha.
Berisha nuk la pa përmendur as ndeshjet e Kampionatit Evropian “Euro 2016”, kur Shqipëria bëri debutimin e saj në një garë kaq të madhe ndërkombëtare duke veçuar ndeshjen mes Shqipërisë dhe Zvicrës si një nga më emocionalet.
“Gjithashtu, ndeshjet debutuese të Shqipërisë në ‘Euro 2016, për shembull ndeshja Shqipëria – Zvicra, edhe atë ndeshje do ta fusja tek ndeshjet që i kam për qef le ta quajmë”, përfundoi Berisha për “BlicInterview”.
/GazetaBlic/