Sporti

“Dua sërish Zidane”, legjenda e Realit i prerë: Mourinho? Loja e tij ta shpif

11/23/2023 14:42
nga:Lorik J

Jose Maria Gutierrez Hernandez, i njohur nga të gjithë si Guti, ka folur rreth trajnerit të ardhshëm të Real Madrid. Carlo Ancelotti do të largohet nga pankina e “Los Blancos” në fundin e sezonit. Italiani do të emërohet tekniku i kombëtares së Brazilit.

Ish-mesfushori i avancuar i Realit, dëshiron të shohë Zinedine Zidane sërish në stolin e Merengues, teksa thekson se është kundër rikthimit të Jose Mourinhos.

“Unë do të doja ta shihja Zidane përsëri te Reali, nuk e kuptoj pse ai nuk duhet të kthehet për herë të tretë.

Mourinho? Jo, ai nuk ka profilin e duhur. Kur shihja duke luajtur Realin e tij, kishte raste kur mërzitesha. Më vjen keq, por është e vërtetë”, u shpreh 47-vjeçari për El Chiringuito.

Guti luajti 14 vite me Realin e Madridit (1996-2010), skuadër me të cilën fitoi 15 trofe në total. Mes tyre edhe Champions League (3).