Lajme

Matoshi kujton arrestimin nga forcat serbe para 25 vjetësh: E kam mbijetu ‘holokaustin’ duke marrë anën e jetës

05/21/2024 17:19
nga:Sh R

Gazetari dhe publicisti Halil Matoshi kujton sot një ditë të rëndë për të. Para 25 vjetësh, forcat serbe e morën peng duke e dërguar në burgun e Lipjanit.

Matoshi shkruan në Facebook për atë “kamp përqendrimi” ku thotë se mbeti gjallë vetëm me nga një rriskë buke çdo 24 orë dhe “në etje konstante”.

“Kampi i përqëndrimit ose Biopolitika. Sot u bânë 25-vjet kur forcat policore serbe t’frymëzueme nga fashizmi miloševićian, m’kanë marr peng lufte dhe më kanë dërgu spari në burgun e Lipjanit që ishte shndërru në një kamp përqëndrimi. Aty, për 21 ditë e kemi mbajtë frymën me një rriskë buke në 24 orë dhe në etje konstante”, shkruan Matoshi.

Ai kujton se si në qershor të vitit 1999, ai dhe të burgosurit tjerë ishin lidhur dhe i kishin çuar në Pozharevc, në Serbi.

“Mes 9-10 qërshorit 1999 të lidhun duersh me spaga plastike, me autobusa na kanë deportu në Konclogorin “Zabela” në Požarevac, Serbi. I lânun n’hapsinë për jetë të zhveshun (biopolitikë – Agamben) dmth. me e kundru dekën si shpëtim! E kam mbijetu ‘holokaustin’ duke marrë anën e jetës, kundër dekët!”, shkruan Matoshi.