Tri baza ajrore në Britani janë vënë në qendër të vëmendjes pas raportimeve për dronë të panjohur që kanë fluturuar mbi hapësirën e tyre.
Incidentet ndodhën midis të mërkurës dhe të premtes në RAF Lakenheath dhe RAF Mildenhall në Suffolk, si dhe RAF Feltwell në Norfolk, të cilat përdoren nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara (USAF – United States Air Force), transmeton klankosova.tv.
Autoritetet konfirmuan se bëhet fjalë për “sisteme të vogla ajrore të telekomanduara”, por mbetet ende e paqartë nëse këto dronë përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë.
USAF refuzoi të japë detaje nëse janë aktivizuar mekanizma mbrojtës, por deklaroi prerazi se ruan “të drejtën për të mbrojtur” instalimet e saj.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë e bazave ajrore dhe mundësinë e një ndërhyrjeje të mundshme nga palë armiqësore.
Autoritetet janë në proces hetimi për të përcaktuar natyrën dhe qëllimin e dronëve, ndërsa situata po ndiqet me kujdes nga zyrtarët ushtarakë.
Një zëdhënës i Forcave Ajrore të SHBA-së në Evropë sipas bbc, foli mbi situatën.
“Mund të konfirmojmë se sisteme të vogla ajrore të telekomanduara (UAS) janë vërejtur në afërsi dhe mbi RAF Lakenheath, RAF Mildenhall dhe RAF Feltwell”.
“Numri i UAS-ve ndryshonte dhe ato varionin në madhësi/konfigurim”.
“UAS-të janë monitoruar aktivisht, dhe drejtuesit e instalimeve kanë përcaktuar se asnjë nga shkeljet nuk ka ndikuar tek banorët e bazës apo infrastruktura kritike”.
“Për të mbrojtur sigurinë operacionale, ne nuk diskutojmë masat tona specifike të mbrojtjes, por ruajmë të drejtën për të mbrojtur instalimin”.
“Vazhdojmë të monitorojmë hapësirën tonë ajrore dhe po punojmë me autoritetet e vendit pritës dhe partnerët e misionit për të siguruar sigurinë e personelit të bazës, objekteve dhe aseteve”, shprehej ai.