Kryetari i Drenasit, njëherësh kandidat nga PDK-ja për të parin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci, i është përgjigjur kundërkandidatit të tij, Driton Ajazi, rreth akuzave se ai është dëshmitar në Gjykatën Speciale.
Lladrovci në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” akuza të tilla i ka hedhur poshtë dhe nuk i ka cilësuar befasi.
Ai ka ripërsëritur se nuk ka qenë asnjëherë dëshmitar në Gjykatën Speciale.
“Për mua, një cilësim i tillë nuk është befasi, sepse po e di kush e thotë. Ndërsa për lexuesit tuaj dhe qytetarët, po e ritheksoj se as kam qenë, as jam e as do të jem dëshmitar i Hagës. Mjegulla e sajuar e opozitarëve dashakëqinj ndaj meje më 2016 dhe 2017, me konspiracione të ulëta u riciklua nga dora e njëjtë, burimi i njëjtë, kuzhina e njëjtë, edhe atëherë, edhe tash. Por, me qytetarët do t’ua tregojmë vendin”
I pyetur se ai pritet të ketë koalicion me ndonjë nga subjektet politike, Lladrovci u përgjigj kështu.
“Koalicionin e vetëm e kam dhe e bëj vetëm me qytetarët, pa dallim. Motivet e kandidimit tim janë qytetarët dhe tek ata e kërkoj dhe marr mbështetjen për fitoren e 14 nëntorit”
Kundërkandidati i tij nga Iniciativa Qytetare ‘Demokratët për Drenasin’ Driton Ajazi deklaroi pak më parë për “Gazeta Blic” se gjithçka ai ka dekalruar ka qarkulluar në media në dy vitet e fundit.
“Kam reagu edhe unë në lidhje me këtë çështje. Ne jemi në garë zgjedhore, fokusi im tanimë është që t’u prezantoj projekte qytetarëve të komunës së Drenasit. Ajo ç’ka kam potencu nuk është asgjë më shumë se se ajo që ka qenë pjesë mediale tash e dy vite, që kanë qarkullu lajme dhe video-inçizime të cilat e kanë proklamu atë çështje për zotin Lladrovci. Unë skam thënë asgjë më tepër që është thënë nëpër media gjatë këtrye dy viteve të fundit. Reagimi i qendrës së PDK-së ishte i ngutshëm, ishte nën presion, dihet nën presion të kujt. Edhe unë iu kam përgjigj këtij reagimi dhe tanimë vazhdojmë garën politike” deklaroi Ajazi.
Ramiz Lladrovci dhe Driton Ajazi pritet t’i drejtohen raundit të balotazhit me 14 nëntor për të marrë besimin e qytetarëve të Drenasit.
Lladrovci që vjen nga subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës , ka kryesuar në raundin e parë me 45.62% të votave kundrejt Driton Ajazit nga ‘Demokratët për Drenasin’ me 30.74% të votave.
Driton Ajazi sqaron deklaratat për Lladrovcin dhe flet për koalicionet para raundit të balotazhit


