Lajme

“Dritan Abazoviçit i është ofruar posti i Kryeministrit”

11/17/2021 23:07
nga:M K

Mehmed Zenka, kryetar i Unionit Demokratik Shqiptar në Malin e Zi thotë se situata politike në vendin fqinj është në krizë dhe nuk udhëhiqet nga politika pro-evropiane.

Qeveria thotë ai “e vetë quajtur qeveri ekspertësh” është e përbërë nga diletantë.

Sipas z. Zenka qëllimi kryesor ka qenë “hakmarrja”.

“E gjitha kjo ka sjellë krizë ekonomike. Kemi më shumë se 20 mijë persona që kanë humbur vendin e punës”, shton ai.

Zenka veçoi rolin e Kishës Ortodokse në krijimin e qeverisë aktuale në Malin e Zi duke e cilësuar si “klero fashizëm”.

“Po bëhet në vit nga kjo qeveri dhe kemi manifestim që na rikthejnë në dukuri të viteve ’90 dhe që kanë sjellë me qindra mijëra viktima dhe mijëra refugjatë”, deklaroi kreu i Unionit Demokratik Shqiptar.

Për partinë shqiptare “Ura” të Dritan Abazoviçit, edhe pse pretendohet se ka program pro-evropian, Zenka mendon se deri tani nuk ka dëshmuar një gjë të tillë.

Për trajtimin e minoritetit shqiptar ai tha se ka një diskriminim dhe se edhe arritjet e viteve të fundit janë zhbërë.

“Asnjë sinjal pozitiv që do të ishte sadopak premtues për minoritet në Malin e Zi”, tha Zenka.

Ai tha se Abazoviçit i është ofruar që të dalë nga koalicioni aktual dhe të formohet një qeveri tranzitore.

“Oferta ekziston e drejtuar kryetarit të Ura, Abazoviç ku është ofruar që të formohet një qeveri kaluese, kryetar i të cilët do të ishte ai. Mirëpo përgjigja deri tani nuk është as pozitive dhe as negative, por janë duke luajtur në dy kolona”, tha z. Zenka.

Sipas tij edhe vizita e diplomatit amerikane, Gabriel Escobar kishte mesazhe të qarta kundër drejtimit të qeverisë së Malit të Zi nga forca pro serbe dhe se nevojiten forca pro perëndimore. /euronews.al/