Sporti

Drita do të luajë në garat evropiane, ky është premtimi i Nuhiut pas ndeshjes

05/23/2021 17:27
nga:L J

Drita fitoi sot ndaj Arbërisë me rezultatin 2-0 për të siguruar edhe zyrtarisht kalimin në garat evropiane, shkruan GazetaBlic Sport.

Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu tha se është shumë i lumtur që skuadra e tij e ka arritur daljen në Evropë – ndërsa potencoi se do të sjellin freski dhe do ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, shkruan GazetaBlic Sport.

“Ndeshje të tilla janë shumë të veshtira, si në aspektin psikologjik, futbollistët ishin te përqëndruar në maksimum. Epërsinë që kishim u munduam ta ruajmë. Më vjen mirë që është fituar ndeshja. Mendoj që e kemi merituar të jemi në Evropë, pasi lojtarët pothuajse gjatë gjithe vitit kanë udhëhequr kampionatin.

“Ka qenë një vit i gjatë, kishim edhe pak lodhje, dëmtime të shumta të futbollistëve. Në pjesën kryesore mbetem pa forca, por e kemi menaxhuar mirë”, vazhdoi ai.

“Unë vazhdoj të jem pjesë e klubit, kemi biseduar me udhëheqësit. Ka qenë objektivi titulli, por ata respektojnë punën time. Conference League do të kërkojmë më tepër, por do të varet edhe prej shortit. Do të pushojmë njëherë, do të sjellim freski në ekip dhe do ta paraqesim mirë futbollin kosovar në Evropë”, përfundoi Nuhiu.