Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se zgjedhjet e djeshme komunale kanë nxjerrë në pah pasoja të shumta, radikalizimin dhe unifikimin e minoritetit serb në vend, si dhe izolimin dhe sanksionimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Këto zgjedhje shpërfaqën se politika kryeneçe dhe sanksionuese nuk mbështetet, por ndëshkohet. Kjo politikë rezultoi me radikalizimin dhe unifikimin e minoritetit serb në Kosovë, ndërsa në planin ndërkombëtar me izolim, sanksione dhe anashkalime të vendit.”
Dreshaj, në një prononcim për Gazeta Blic, tha se, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje ka humbur një të tretën e votave lokale në total.
“Në planin lokal, pothuajse të gjitha subjektet politike në Kosovë i mbajtën bastionet e veta: PDK, LDK, AAK, si dhe VV, përkundër faktit që VV humbi gati një të tretën e votave lokale në total, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021,” – u shpreh ai.
Sipas tij, zgjedhjet kanë dëshmuar se kontestet në komunat me shumicë serbe nuk janë thjesht çështje administrative, por thellësisht politike.
“Këto zgjedhje dëshmuan gjithashtu se kontestet në komunat me shumicë serbe janë politike, pasi shumica serbe ende nuk e pranon Kosovën si shtet të pavarur. Kjo situatë nuk mund të zgjidhet me masa repressive.”
Tutje, ai potencoi se komunat që shkuan në balotazh do të vendosin më 9 nëntor, edhe pse, sipas tij, balotazhi shpeshherë ka sjellë më shumë konflikte sesa zgjidhje.
“Komunat që shkuan në balotazh do të vendosin më 9 nëntor. Fituesi do të dalë nga vota, por duhet të theksoj se balotazhi nuk është vetëm votë – ai përfshin edhe shumë çështje të tjera që nuk lidhen drejtpërdrejt me programin partiak apo politik. Balotazhi shpesh ka prodhuar më shumë probleme dhe konflikte sesa zgjidhje reale.”
“Mendoj se sa më shpejt të largohet si procedurë, aq më mirë do të jetë për vendin dhe për demokracinë,” – përfundoi Dreshaj për Gazeta Blic.


