Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datën 15 prill.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, ka thënë Presidenca raporton “Gazeta Blic”.
E partia e cila ka dalë e para në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar takimet me përfaqësuesit e pakicave për të siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re.
Gjatë ditës së sotme Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, takoi kryetaren e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi, e pas saj edhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.
Por a pritet t’i sigurojë numrat e nevojshëm, Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë për formimin e institucioneve.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic”, ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Dreshaj tha se tashmë do të kemi takime intensive nga partia e cila ka dalë e para në zgjedhje dhe se ditët në vazhdim ky subjekt politik do të tentoj të ‘peshkoj deputet nga opozita’.
Ai tha se nëse VV-ja, nuk ka rezultat me këto veprime, do të filloj të kontaktoj me subjektet nga opozita.
Dreshaj u shpreh se nuk beson që në mbledhjen konstituive të Kuvendit me 15 dhjetor mund të kemi Qeveri.
“Kosovës i duhet qeverisje stabile dhe e guximshme për t’u ballafaquar me sfidat aktuale.Tani, pasi është caktuar termini për mbledhjen e Kuvendit, besoj se do të kemi konsultime intensive nga partia kryesore, VV. Sot ishim dëshmitarë të konsultimeve të para publike me përfaqësuesit e pakicave në Kuvend. Numri i deputetëve nga VV dhe pakicat është i pamjaftueshëm, pasi në total mund të mbledhë 59 deputetë. Mendoj se në ditët në vazhdim do të jemi dëshmitarë të peshkimit të deputetëve nga opozita, dhe nëse nuk ka rezultat me këto veprime, Kurti do të fillojë kontaktet me subjektet nga opozita. Varësisht nga këto rezultate, do të varet krijimi i Qeverisë dhe strukturave menaxhuese të Kuvendit. Unë mendoj se në mbledhjen konstituive të Kuvendit nuk do të kemi qeveri” deklaroi Dreshaj për “Gazeta Blic”.
Zyrtari i AAK-së tha se vendit i kanë mbetur dy rrugë përpara, krijimin e qeverisë së pakicës që do të shoqërohet me kriza të numrave ose krijimin e Qeverisë me subjektet opozitare që do të ishte udhëheqje stabile.
“Vendit, si duket, i kanë mbetur dy rrugë: krijimin e qeverisë së pakicës, që do të shoqërohet me kriza të numrave për t’i shtyrë proceset përpara, ose krijimin e Qeverisë me subjektet opozitare, që do të ishte udhëheqje stabile në këtë kohë të sfidave të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.Alternativë janë zgjedhjet e parakohshme, që mendoj se nuk do të ndodhin, pasi gjasat që të kemi rezultate të ngjashme janë të mëdha.Propozoj që Presidentja, pas tentimit të parë nga Kurti, përgjegjësinë ta kalojë te opozita, e cila i ka numrat, guximin dhe gatishmërinë që vendin ta udhëheqë dhe të ballafaqohet me sfidat si në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar” deklaroi Dreshaj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.
Kujtojmë se nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pas mbledhjes së Kryesisë kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre për formimin e një qeverie nga opozita.
“Në këtë momentum të ri politik, pas caktimit të datës për mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur për formimin e një qeverie nga opozita, si alternativa më e mirë për vendin”, thuhet në njoftim raporton “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
