Ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se qeveria e mundshme Kurti 3 do të jetë një qeveri e pakicës dhe do të jetë jo funksionale.
Dreshaj për GazetaBlic parashikon takime të vazhdueshme mes Kurtit dhe subjekteve politike, duke përmendur se takimi i fundit me Limajn ka përfshirë ofertë për poste të larta, si Kryetar Kuvendi dhe ministra.
“Me Limajn ose pa të, nëse krijohet qeveria Kurti 3, do të jetë një qeveri e pakicës dhe jo funksionale.Në prononcimin tim të para disa ditëve, parashikova takime intensive të Kurtit me të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës. Edhe takimi Kurti-Limaj është pjesë e kësaj vazhde. Zoti Limaj është i pari që hapi derën për negociimin dhe krijimin e institucioneve të vendit. Tani torta është në tryezë, dhe secili do të pretendojë të marrë sa më shumë. Kjo vlen edhe për zotin Limaj, i cili është një negociator dhe politikan i rryer”, tha Dreshaj.
“Ndonëse ky takim vazhdon të jetë i mbuluar me velon e errësirës, mendoj se ka pasur ofertime konkrete. Siç duket, sipas informatave anësore jozyrtare, në ofertë ka qenë posti i Kryetarit të Kuvendit dhe tri ministri. Tani priten takime edhe me subjektet e tjera”, shtoi ai.
Ai theksoi se, pas performancës së dobët të qeverisë së Kurtit, opozita ka më shumë mundësi për të krijuar një qeveri stabile dhe të suksesshme për të mirën e Kosovës.
“Mendoj se Kosovës i duhet një qeveri stabile, të cilën Kurti me VV e ka të vështirë ta sigurojë, ndërsa opozita ka premisa shumë më premtuese. Duke pasur parasysh performancën katërvjeçare të qeverisjes së Kurtit, ndonëse me shumicë në Kuvend, qeveria e pakicës Kurti 3 nuk pritet të ofrojë performancë premtuese. Për të mirën e vendit, opozita duhet të mbetet e bashkuar dhe të krijojë qeverinë”, tha Dreshaj për GazetaBlic.
Haliti: Kurti dhe Limaj janë takuar, por s’kanë arritur të bëjnë marrëveshje!


