Kandidati për deputet nga AAK, Shemsedin Dreshaj, ka folur për Gazeta Blic për deklaratat e kreut të Nismës, Fatmir Limaj, lidhur me mundësinë që të bashkëpunojë me Kurtin për formimin e Qeverisë.
Ai ka thënë se AAK dhe Nisma do të vazhdojnë rrugëtimin e përbashkët, duke shtuar se deklarata e Limajt ishte më shumë në drejtim të hapjes së rrugëve për krijimin e institucioneve ekzekutive të vendit.
“Kryetari Limaj, përfaqëson subjektin politik Nisma, i cili ju ka bashkuar koalicionit tonë dhe ka rezultuar me hyrjen në Kuvend me tre deputetë. Rrugëtimi deri sot ishte i përbashkët dhe besoj se i këtillë do te vazhdojë. Besoj se prononcimi i Kryetarit Limaj ka qenë më tepër në drejtim të hapjes së rrugëve për krijimin e institucioneve ekzekutive të vendit. Kosova ka nevojë për krijimin urgjent të institucioneve ekzekutive funksionale dhe stabile”, ka thënë Dreshaj për Gazeta Blic.
Ai shton se deklarata e Limajt nuk nënkupton ndarje të rrugëve dhe se nuk shkelen parimet e marrëveshjes.
“Modalitetet e pjesëmarrjes ose jo në krijimin e institucioneve është proces negociator, ku pjesëmarrësit e koalicionit do ta kenë fjalën e vetë. Një deklaratë e tillë nuk është ndarja e rrugëve mes koalicionit dhe Nismës. Unë jam i bindur se parimet themelore të marrëveshjes se koalicionit nuk do të shkelën. Këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë se reforma zgjedhore në vend është e domosdoshme. Një qytetar një votë është fjala e demokracisë, qoftë në Kosovën si një zonë elektorale ose e ndarë zonat ekzistuese. Fundi ketë e kanë dëshmuar edhe zgjedhjet komunale në tri zgjedhjet e fundit ku performanca e menaxhimit lokal ishte evident më efikase se ajo qendrore”, ka deklaruar Shemsedin Dreshaj./Gazeta Blic/