Lajme

Dreshaj i AAK-së e dorëzon te Avokati i Popullit Ligjin për Skemat Pensionale

02/07/2024 10:44
nga:Sh R

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj e ka dorëzuar te Avokati i Popullit Ligjin për Skemat Pensionale Kontributdhënse.

Dreshaj tha se ky ligj ka qenë edhe më herët në Gjykatën Kushtetuese, por sipas tij, pas një intervali të gjatë kohor janë bërë disa manipulime nga ana e mazhorancës në kuvend dhe 15 vjetshi i mëparshëm ka mbetur i pandryshuar.

“Do të thotë ky ligj nënkupton që ai person që pas datës 1 janar 1984 ka krijuar marrëdhënie pune me shtetin nuk gëzon të drejtën e pensionit kontributdhënës, e kjo nënkupton që për një ditë apo një javë iu humb kontributi i bërë për vite të tëra”.

“Këtë herë, kërkesa jonë eksplicite është që të hiqet periudha kohore prej 15 vjetësh, si masë diskriminuese dhe të largohet 1 janari i 1999, që nënkupton ‘deadline’, kur numërohet stazhi pensional”, tha Dreshaj para medieve.

Tutje, Dreshaj tha se pret nga Gjykata Kushtetuese që ta eliminojë masën, të cilën ai e quajti ndëshkimore, ndaj individëve që s’e plotësojnë 15 vjetshin.

“Mendoj që Avokati i Popullit do të merret me këtë çështje, ndërsa kjo çështje do të procedohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Gjykata Kushtetuese do ta eliminojë këtë masën ndëshkimore ndaj individëve që nuk e plotësojnë 15 vjetshin”, tha ai.