Kandidati i AAK-së për deputet, Gani Dreshaj, i cili garon në zgjedhjet e 28 dhjetorit me numrin 8 ka nisur fushatën elektorale ku po takohet me qytetarë.
Dreshaj ka treguar se si sot ka takuar një shok të vjetër, me profesion polic, i cili për pak kohë del në pension.
I njëjti sipas Dreshajt ishte jashtëzakonisht i trishtuar pasi pensioni që pritet të marrë nuk i mjafton as për rrymë dhe ngrohje.
Dreshaj premtoi se do të punojë që këto padrejtësi të marrin fund dhe që askush mos të plaket në varfëri dhe pensionistët të kenë një minimum jetik të garantuar.
Postimi i plotë:
Prej sot, në fushatë – fshat për fshat – takova një shok të vjetër të shkollës, polic, 64 vjeç e 8 muaj. Në sytë e tij pashë lot. Pas 3–4 muajsh del në pension. Normalisht njerëzit gëzohen kur u afrohet pensioni – por jo te ne në Kosovë.
26 vite me radhë i ka mbajtur çizmet e policisë, pa gardë të re, pa perspektivë, pa siguri. Sot pashë një mik të trishtuar dhe një polic të thyer, me familje e fëmijë, të cilit pensioni nuk i mjafton as për rrymën, as për ngrohjen.
A nuk është kjo tragjike? Si mund të jem i lumtur unë, kur miku im – në këtë moshë – ka shqetësimin e jetës në sy? Njeri i mirë, polic shembullor, humorist, i gatshëm të ndihmojë këdo, dhe që e ka dashur profesionin e tij deri në fund. Për këta njerëz luftoj.
I premtova gjysmën e rrogës sime si deputet, edhe pse ai e di që pas katër vitesh ndoshta nuk jam më në atë post. Por kjo nuk e gëzoi – sepse ai e kupton: është vetëm zgjidhje e përkohshme.
Unë do të luftoj që kjo padrejtësi të marrë fund. Që askush të mos plaket në varfëri. Që pensionistët tanë të kenë një minimum jetik të garantuar.
Kjo nuk është politikë. Kjo është dinjitet


