Lajme

Dreshaj: Derisa të ketë një verdikt të prerë nga Gjykata Kushtetuese dhe zbatim nga Presidentja, s’pritet zgjidhje e ngërçit politik

07/24/2025 20:43
nga:Y I

Nesër mbahet seanca e radhës konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët do t’i drejtohen Kuvendit për të 52-tën herë në përpjekje për të konstituar këtë institucion.

Nesër po ashtu është edhe afati i fundit 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Në lidhje me këtë çështje dhe se çfarë pritet të ndodhë nesër ka folur për “Gazeta Blic”, ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

Dreshaj tha se bazuar në ecurinë e deritanishme të mbledhjeve të Kuvendit, edhe nesër vështirë se pritet ndonjë lëvizje madhore.

Ai tha se duke parasysh se qeveria aktuale nuk i merr seriozisht vendimet e të gjitha niveleve të gjyqësorit të Kosovës, edhe nesër sipas tij s’pritet të jetë ndryshe.

“Bazuar në ecurinë e deritanishme të mbledhjeve të Kuvendit, edhe nesër vështirë se pritet ndonjë lëvizje madhore. Duke ditur se kjo qeveri nuk i merr fare seriozisht vendimet e të gjitha niveleve të gjyqësorit të Kosovës, madje as ato të Gjykatës Kushtetuese, është vështirë të pritet që nesër të jetë ndryshe. Këtë e bazoj në faktin se dy ministra të kësaj qeverie vazhdojnë të jenë në detyrë, përkundër vendimeve përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, kryeministri vazhdon të anashkalojë edhe ftesën për dëshmi në gjykatë” tha Dreshaj.

Dreshaj tha se ‘derisa të ketë një verdikt të prerë nga Gjykata Kushtetuese dhe zbatim të tij nga ana e Presidentes, nuk pritet që do të zgjidhet ngërçi politik’

“Bazuar në këto fakte, mendoj se nesër vështirë se do të ndodhë konstituimi i strukturave të Kuvendit. Derisa të ketë një verdikt të prerë nga Gjykata Kushtetuese dhe zbatim të tij nga ana e Presidentes, nuk pres që do të zgjidhet ngërçi politik i vendit” tha Dreshaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/